Të nderuar qytetarë të komunës së Dragashit! Të nderuar bashkatdhetarë kudo që jeni!
Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të administratës komunale dhe në emrin tim personal t’ju uroj muajin e begatë të Ramazanit. Nesër është dita e parë e këtij muaji të Bekuar, dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit për të gjithë besimtaret myslimane anë e mbanë botës.

Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ramazani është muaji ku dalin në pah vlerat universale humane; të bujarisë, të mirësisë, të dashurisë, te respektit ndaj njeri-tjetrit, vlera që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror. Ramazani është një kohë e rëndësishme reflektimi për të gjithë besimtarët për të përmirësuar lidhjet farefisnore dhe shoqërore me njëri-tjetrin, për të forcuar ndjenjën e bujarisë dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë. Është momenti kur besimtarët rifreskojnë besëlidhjen e tyre me Krijuesin e Gjithësisë. Agjërimi i muajit të Ramazanit na mundëson një baraspeshë mes shpirtërores dhe materiales, mes zemrës dhe arsyes, mes vullnetit dhe diturisë. Agjërimi i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, dhe çdo besimtar ndjehet më afër dhe më mirënjohës ndaj mirësive të Zotit të Botërave.

Të nderuar qytetarë! Të gjithë jemi të vetëdijshëm se këtë herë kemi një agjërim ndryshe për shkak të pandemisë COVIT-19. E kuptoj që kjo është një ndryshim i madh ngase kemi te vendosura masa të kufizimit të lëvizjes dhe xhamitë do të jenë të mbyllura si dhe nuk do të kemi edhe iftare të përbashkëta e falje të namazit me xhemat . Vendosja e këtyre masave është sfiduese për të gjithë po përderisa janë vendosur nga profesionistët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit të Bashkësisë Islame ju bëj thirrje ti respektoni në tërësi duke i kryer adhurimet në shtëpi.

Padyshim se kemi nevojë të furnizohemi brenda ditës dhe kjo na imponon të dalim jashtë shtëpive. Është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të ruajmë distancën dhe ti respektojmë të gjitha rekomandimet si masë e vetme për të qenë të sigurt. Respektimi i deri tanishëm i këtyre masave ka bërë që komuna jonë të mos jetë e prekur me virusin korona. Ne duhet të jemi të bashkuar me njëri tjetrin si deri tani ngase kontributi i të gjithëve na bën më të fortë në përballimin e kësaj sprove që me ndihmën e të Madhit Zot jam i bindur se do ta tejkalojmë.

Krejt në fund me lejoni që edhe një herë t’ju uroj muajin e bekuar të Ramazanit duke ju dëshiruar shëndet e agjërim të lehtë.