Përplasjet dhe mosmarrëveshjet e partive politike të pushtetit dhe opozitës, kanë quar në bllokim të Kuvendit duke bërë që shumë pika të barten nga seanca në seancë. Edhe pse opozita vazhdimisht po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për pozitën ato s’janë në plan.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i ka thënë Ekonomia Online, se opozitës i mungon vendosmëria, për ngritje të mocionit të mosbesimit dhe se sipas tij, thirrjet për zgjedhje po bëhen vetëm për konsum politik.

“Opozitës ju mungon vetëm një gjë në fakt, vendosmëria. Ata s’janë të vendosur për asgjë, ata thonë që duan me marr pjesë në dialog e nuk kanë guxim me marr përgjegjësi për dialogun, thonë që do ta bojkotojnë kuvendin e pastaj vine ne kuvend, një pjesë dalin e një pjesë hynë, thonë që duan zgjedhje dhe nuk guxojnë me ngrit mocion mosbesimi, do të thotë, është reflektim i problemeve të tyre të brendshme. Krejt ajo çka ata e deklarojnë për zhvillimet është se nuk është rendi zgjedhjeve, askush në Kosovë nuk dëshiron zgjedhje”.“Kush do që thotë që do zgjedhje ose është i interesuar për to, është i pasinqertë dhe e thotë për konsum politik ditor. Sidoqoftë çdo parti serioze duhet të jetë gjithmonë e gatshme për zgjedhje, por PDK-ja mendon se nuk duhet dhe nuk ka nevojë për zgjedhje”.Kur ka foli për vizat, shefi i PDK-së në Kuvend, tha se nëse kosovarëve nuk u lejohet lëvizja e lirë në zonën Schengen, me këtë veprim Bashkimi Evropian (BE) po ia kthen shpinën Kosovës.

Tërheqjen të zotimeve të zyrtarëve të BE-së e quan ai skepticizmin e shteteve anëtare.

“Mendoj që është sinjal shumë dekurajues, është komplet i padrejtë dhe nëse një gjë e tillë vërtet do të ndodhë atëherë do të jetë me të vërtet një kthim i shpinës Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Me vite na kanë thënë që nuk është vendim politik, por që është çështje teknike, janë pikërisht qëndrimet politike që dëshirojnë ta mbajë Kosovën të përjashtuar nga një e drejt fondamentale”.Ndonëse shpreh optimistë se liberalizimi mund të ndodh, Krasniqi thotë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e caktuar, madje pati më shumë kritere se të gjitha vendet e rajonit.“Pavarësisht që Kosova është shteti më pro-evropian dhe qytetarët më pro-evropian, unë mendoj që sinjalet e tilla refuzuese nga Bashkimi Evropian do ta kenë ndikimin e vet politike edhe brenda vendit tonë, por padyshim që do të ndikojnë edhe tek procesi integrues, por edhe tek dialogu edhe çdo gjë tjetër”.

“Unë ende jam optimist i kujdesshëm në kuptimin që shpresoj që Austria do ta marr përgjegjësin që e ka si udhëheqëse e presidencës së BE-së që ta fus në rend të ditës çështjen e vendimit sepse ne nuk jemi fajtor për mosmarrëveshjet që shtetet e BE-së i kanë mes veti edhe për problemet e politikave të tyre të brendshme. Ne kërkojmë të drejtën tonë, me vite na kanë thënë duhet mi kryer këto punë, krejt punët i kemi kryer, sot do të ishte përtej standardit të dyfishtë nëse ata tërhiqen nga krejt ato zotime që i kanë dhënë me vite”.Krasniqi ka thënë se janë në fazën e hershme të zgjedhjeve të brendshme të partisë, duke shtuar se do të ketë rifuqizim dhe ridinamizim të punës së PDK-së në të gjitha nivelet.“Sa i përket procesit të zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, ne jemi ne fazat e hershme, tashmë është hap procesi zgjedhor anë e mbanë Kosovës në 38 degë të PDK-së. Një pjesë e nën-degë e që janë të gatshme mund të fillojnë me zgjedhjet dhe kuvendet ne ditët në vijim. Presim që për disa muaj do të ketë jo vetëm zgjedhje, por diskutim edhe debat për përzgjedhje më të mirëve në mënyrë që të ketë një rifuqizim dhe ridinamizim të punës së PDK-së në të gjitha nivelet”.