Zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës, javëve të fundit kanë ndryshuar diskursin, i cili ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke shprehur një dozë skepticizmi dhe dyshimi nëse një vendim pozitiv për Kosovën do të mund të merret deri në fund të këtij viti.
Megjithatë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon që ky skepticizëm i shprehur përmes diskursit të javëve të fundit, është qëndrim i cili shpërfaqet edhe në takimet me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian apo edhe me institucionet e BE-së.

Kjo, siç thotë Hoxhaj, është formë e komunikimit politik, ndërkohë që qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, sipas tij, është që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e mundshme për liberalizimin e vizave, për të cilin autoriteteve të Kosovës, që nga fillimi u është thënë se është proces teknik dhe tashmë i takon vendeve anëtare të BE-së që të marrin një vendim politik, për përmbylljen pozitive të këtij procesi.

Por, siç potencon zëvendëskryeministri Hoxhaj, ekzistojnë shqetësime në disa nga vendet e BE-së, të cilave ai nuk dëshiron t’ua përmend emrat, për shkak se ato ende nuk kanë dhënë qëndrime të qarta lidhur me pozicionin e tyre shtetëror, në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Këto shtete të caktuara, kanë shfaqur deri më tash një lloj shqetësimi, shpeshherë me arsye të paqëndrueshme- meqë nuk ka ndonjë arsye të qëndrueshme – sepse, ne i kemi përmbushur ato kritere, të cilat i kemi pasur në udhërrëfyes në vitin 2012. Por tash, shpeshherë përmenden detaje të jetës sonë politike apo detaje edhe të zhvillimeve të tyre të brendshme, brenda një vendi të caktuar”.

“Ne nuk mund ta ndryshojmë realitetin politik brenda një shteti anëtar dhe raporti ynë me Bashkimin Evropian do të varet shumë se a do të merret në fund të vitit vendimi, me qëllim që pastaj në vitin 2019 të udhëtohet pa viza”, thotë Hoxhaj.
Diskursin me tone skeptike të autoriteteve të Kosovës lidhur me një vendim pozitiv ose jo të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, Jehona Lushaku, njohëse e çështjeve të integrimeve evropiane, e ndërlidh me reflektimin e vendeve të BE-së ndaj këtij procesi.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë që zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm në Bashkimin Evropian, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në gjithë vendimmarrjen e BE-së.
“Fakti që mbledhja e Këshillit të Ministrave është në dhjetor të këtij viti, lë për të kuptuar që një vendim vendimtar për liberalizim është vështirë i pranueshëm edhe për shkak të konsekuencave që mund t’i ketë ky vendim në të ardhmen, në zgjedhjet e ardhshme në BE. Kështu që, secili shtet kalkulon që vota e tij ‘për’, mund të jetë një argument më shumë për partitë populiste të tyre, që gjatë zgjedhjeve ta përdorin këtë vendim si argument që është rritur migracioni, për të cilin thuhet që është një prej problemeve kryesore në BE, momentalisht”, thekson Lushaku.

Ajo shton se në këtë situatë janë të përfshira edhe detaje tjera, sikurse fakti që, sipas saj, Qeveria e Kosovës nuk mund të garantojë plotësisht migrimin eventual të qytetarëve në BE.
Më pas, sipas saj, rrethanat e brendshme, sikurse: niveli jo krejtësisht i kënaqshëm i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe hapja e temës së mundësisë së lëvizjes së kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dekurajojnë vendet e BE-së për një vendim pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën.
Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, por edhe njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, vlerësojnë se kërkohet një angazhim më i madh i Kosovës me vendet e BE-së, veç e veç.
Hoxha thotë se autoritetet e Kosovës duhet të komunikojnë me secilin kryeqytet të vendeve anëtare të BE-së, në mënyrë që të hiqen dilemat e tyre eventuale.

“Duhet të jemi të prerë. Duhet t’iu themi që, në raport me Kosovën, nuk ka nevojë të ketë as paragjykime e asnjë lloj albanofobie, meqë ne i kemi kryer punët që na takojnë. Vetë BE-ja do të ishte shumë e padrejtë dhe do t’i trajtonte qytetarët e Kosovës të pabarabartë me çdo vend tjetër në rajon, nëse në fund të vitit nuk e ka një vendim politik. Por, neve na mbetet – përtej lajmeve tona të brendshme – që të bëhet punë konkrete me vendet anëtare dhe me institucionet BE-së dhe duhet ta themi qëndrimin e prerë se është shqetësim edhe i qytetarëve të Kosovës”, shprehet Hoxhaj.
Lushaku shpreh mendimin, po ashtu, që Kosova duhet të bisedojë me vendet e Bashkimit Evropian, por, sipas saj, mendimi i tyre nuk mund të ndryshojë “brenda natës”.
“Duhet punuar me secilin shtet ndaras. Por, mos të harrojmë që edhe mendja nuk mund t’iu ndërrohet këtyre shteteve brenda natës, sepse ato na monitorojnë në baza ditore. Ato janë të pranishme me ambasada dhe me përfaqësues brenda Kosovës, si dhe i kanë informacionet e sakta se si janë duke u zbatuar këto kritere që janë deklaruar tashmë nga Komisioni Evropian si të plotësuara. Kështu që, ndryshimi i situatës, në mënyrë rapide te qëndrimet e shteteve, është i pamundur në këtë moment. Aq më tepër kur i shtohet ky komponenti i zgjedhjeve, që do të jetë në fillim të vitit të ardhshëm”, vlerëson Lushaku.
Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian në korrik të këtij viti dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në shtator, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.