Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka ftuar institucionet e Kosovës ta ndërpresin përkohësisht dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se kjo duhet të ndodhë për shkak të sjelljes armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për ta ndalë diskutimin për lëvizje të kufijve.

Sipas Tahirit, dialogu i tanishëm që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy presidentëve nuk është në interes të Kosovës.
Ajo ka bërë me dije se Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e këtij procesi derisa Serbia të fillojë të sillet në bazë të parimeve të fqinjësisë së mirë.