Instituti Paul Ehrlich (PEI) njoftoi sot në mëngjes se janë miratuar testimet e para njerëzore për një vaksinë kundër koronavirusit të ri.

PEI, me qendër në Langen të Hessen është përgjegjës për miratimin e vaksinave në Gjermani.

Siç njoftoi Instituti, kompania Biontech, me bazë në Mainz, mori miratimin për të testuar vaksinën e saj te vullnetarët e shëndetshëm.

Siç tha në një konferencë për shtyp Presidenti i Institutit, profesor Paul Cichetuk, institucioni i tij kishte miratuar testimin e fazës së parë në luftën kundër koronës.

Cichetuk pret që vaksina e përfunduar të jetë në dispozicion pranverën e vitit që vjen.

Këto janë fazat e vaksinës:

FAZA 1: Testimet te njerëzit. Ato bëhen gjithmonë te një grup vullnetarësh. Analizohet nëse vaksina është e sigurt dhe nuk shkakton dëme. Në provat para-klinike, vaksinat më parë testoheshin vetëm te kafshët.

FAZA 2: Në këtë fazë, vaksina e re do të testohet te disa mijëra njerëz për herë të parë. Qëllimi është për të zbuluar nëse ilaçi ka efektin e duhur kundër koronës dhe nëse ndërton imunitet. Qëllimi pra është imuniteti i të vaksinuarve. Për më tepër, duhet të shqyrtohet se sa duhet të jetë doza e vaksinës në mënyrë që ajo të funksionojë si duhet.

FAZA 3: Këtu testohen deri në 20 mijë njerëz. Pyetja e madhe është: Si funksionon vaksina me një numër të madh pacientësh? Dhe cilat janë efektet anësore. Parakushti: Produkti duhet të ofrojë sigurinë më të lartë.

PRANIMI: Pas tri provave klinike me njerëzit, Instituti Paul Ehrlich do të kontrollojë me shpejtësi nëse testimet janë kryer në mënyrë korrekte. Vetëm atëherë mund të aprovohet vaksina.