Një infermier në repartin e Dializës në Spitalin e Prizrenit dhe një pacient i dializës që shkoi për t’u trajtuar në këtë spital kanë marrë koronavirusin, që të dy janë nga komuna e Dragashit duke u bërë rastet e para në këtë komunë.

Kryetari i Dragashit, Shaban Shabani, tha për klankosova.tv se masat që ka marrë nga kjo komunë nuk kanë mundur të parandalojnë kontraktimin e këtyre dy personave, pasi që të dy e kanë pasë të obligueshme të shkojnë në spital.

“Të dy këta persona janë raste kontakti në Spitalin e Prizrenit pasi ne nuk kemi pasë asnjë rast deri sot. Ne kemi kërkuar vetizolimin e familjarëve dhe jemi duke pritur që t’iu kryhen testet atyre dhe kërkojmë që të bëhen sa më shumë teste në mënyrë që të ndalim zinxhirin e infeksionit”, njofton Klan Kosova.

Mbrëmjen e 23 prillit në Prizren kanë dalë pozitivë në koronavirus nëntë presona, tetë prej të cilëve kanë qenë punonjës shëndetësorë të Spitalit të Prizrenit.

Drejtori për Shëndetësi në komunën e Prizrenit, Visar Shehu, tha se këta kanë punuar në repartin e Dializës.

“Të gjithë punëtorët shëndetësorë kanë qenë të repartit të dializës. Njëri nga ta është mjek, njëri është staf teknik dhe gjashtë janë infermierë. Të gjithë janë në vetizolim në shtëpi”.