Menaxheri i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, Nuro Ismaili, ka deklaruar se kompania “Menti”, pronë e djalit të drejtorit të Financave, Ahmet Bahtjari, ka qenë ofertuesja më e lirë gjatë zbatimit të procedurës ligjore.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë, të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, Ahmet Bahtjari, si dhe dy zyrtarëve tjerë të komunës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, dëshmitari Ismaili, duke u përgjigjur në pyetjet mbrojtësit të të akuzuarit Ahmet Bahtjari, avokatit Valdet Hoxha, ka deklaruar se Komuna e Dragashit, gjatë periudhës 22 dhjetor 2014, deri më 15 qershor 2015, ka pasur një boshllëk, pasi që nuk ka pasur asnjë kontratë me ndonjë firmë për riparimin e veturave zyrtare.

“Ka qenë një periudhë boshe kur Komuna nuk ka pasur asnjë kontratë me firmat për servisimin e automjeteve të veturave zyrtare. Me datën 29 janar 2015 ka qenë një kërkesë e drejtorit të Administratës, në emër të vozitësit Vetim Hasani, i cili në fakt është inspektor i ndërtimtarisë, por nuk e di pse është nënshkrimi i tij si vozitës, ndërsa nënshkrimi i drejtorit ka qenë i Avni Nebiut, atëherë shërbimi furnizues ka zbatuar procedurën të kuotimit të çmimeve, prokurimi me vlerë minimale”, ka deklaruar dëshmitari Ismaili.

Ai ka thënë se formulari ku janë dhënë të gjitha nevojat për servisim të automjeteve i është dërguar tri firmave “Menti”, “Flamuri” dhe “AHO”.

Sipas tij, firma e djalit të ish-drejtorit të Financave, Ahmet Bahtjari, “Menti” ka qenë më e lira me ofertë prej 470 euro, ndërsa firma “Flamuri” kishte bërë ofertë me 521 euro dhe firma “AHP”, kishte ofertuar me 826.52 euro.

Ai ka thënë se pasi që firma “Menti” ishte më e lirë e kishte fituar tenderin.

Dëshmitari Ismaili, ka thënë se “Menti”, kishte kryer disa shërbime gjatë vitit 2015 dhe në vitin 2017.

“Në vitin 2015 ka pasur katër shërbime nga firma “Menti”, për mirëmbajtjen e automjeteve në vlerë prej 480 euro, për furnizim me goma me çmim 392 euro, për automjetin xhip “Mitsubish”, shërbimi i tretë, furnizim me goma dimërore 344 euro për dy automjete “Polo” dhe në fund shërbimi prej 448 euro për furnizim me goma dimri të automjetit “Toyota”. Në vitin 2016, nuk është zbatuar asnjë procedurë me servisimin “Menti”. Në vitin 2017 ky servis ka ofruar shërbime të furnizimit me goma dimërore në tri automjete “Mercedes” në vlerë prej 994 euro”, tha ai.

Dëshmitari Ismaili tha se për shumat deri 999 euro, nuk është e obliguar hapja e procedurës së prokurimit.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Ahmet Bahtjari, dëshmitari ka deklaruar se zyrtari zotues është i obliguar t’i ndajë mjetet për shërbimet me kuotim minimal deri në 999 euro.

“Sa i përket procedurës së vlerës minimale së pari është e nevojshme që drejtoria e caktuar të parashtron kërkesën me të gjitha specifikat sa u përket shërbimeve të kërkuara, pastaj duhet të sigurohen-zotohen mjetet, pastaj kjo kërkesë vjen në zyrën tonë dhe ne iniciojmë procedurën. Nëse vlera e paraqitur është në lartësinë e 1000 euro, drejtori nuk ka për detyrë që menjëherë ti ndajë ato të holla sepse ne duhet të kryejmë procedurën e hapjes së tenderit, por ai është i obliguar ti siguroj ato mjete kur të nënshkruhet kontrata, ndërsa për vlerën nën 999 euro është i obliguar të ndaj mjete.”, ka thënë dëshmitari Ismaili.

Më pas kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raime Elezi, ka ndërprerë seancën e së premtes, me arsyetimin se anëtari i trupit gjykues, nuk ndihej mirë me shëndet.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 16 mars 2020, në ora 09:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ahmet Bahtjarin, përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe për konflikt të interesit.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohet se gjatë periudhës 2004, e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtjari.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2,dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohet se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djali të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzohen se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtar të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragash.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi