
Libri më i ri i autorit Elez Baxhaku, i titulluar “Letra nga kurbeti”, tashmë ka dalë nga shtypi. Kjo vepër sjell para lexuesve jehonën e një kohe të shkuar, duke dokumentuar mallin e mërgimtarëve, lidhjet e forta familjare dhe shpirtin e trevës së Opojës.
Përmes një përmbledhjeje letrash të ruajtura ndër vite, libri zbulon ndjenjat, pritjet dhe sfidat e një brezi që e përjetoi kurbetin si një ndarje të dhimbshme në përpjekje për një jetë më të mirë. Një vlerë e veçantë e kësaj vepre është edhe mbrojtja e thesarit gjuhësor, pasi dokumenton fjalë dhe shprehje të vjetra të Opojës të cilat sot po zbehen nga përdorimi i përditshëm.
Përtej letërkëmbimit, autori sjell edhe kujtime që ringjallin jetën e dikurshme opojane. Përmes tyre shpalosen pamje nga fëmijëria, bashkëjetesa në fshat, traditat, veshjet dhe figurat e rëndësishme të komunitetit, të cilat falë këtij botimi shpëtojnë nga harresa e kohës.
Libri është botuar nga shtëpia botuese “Thesari”, me redaktor Demir Reshitin dhe recensues Dr. Hajriz Meleqin. Autorit i urojmë suksese të reja në krijimtari, me shpresën për vepra të tjera që vazhdojnë të ruajnë kujtesën dhe kulturën e Opojës.
©TVOPOJA