Qeveria e Kosovës mori sot vendim unanim për vendosjen e taksës 100% për produktet serbe dhe ato të Bosnje Hercegovinës të cilat hyjnë në Kosovë.
Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini e cila ka kërkuar që të bëhet tërheqja e menjëhershme e kësaj takse.
Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda.
Deda ka thënë se që pesë muaj kanë kërkuar që Mogherini të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës, të reagojë kundër Serbisë që po punon kundër Kosovës dhe që të përmbushen obligimet e saj ndaj Kosovës.
Tutje Deda ka theksuar se çuditërisht ajo vetëm ka heshtur, duke mos thënë që ka injoruar këto kërkesa, e që sipas Dedës kështu është kur Mogherini e humb kredibilitetin.

“Mogherini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë dhe thotë që është në kundërshtim me “frymën” e MSA-së? Eh po ne, dhe jo vetëm ne në Kosovë, qe 5 muaj po kërkojmë që Mogherini të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës; të reagojë kundër Serbisë që po punon në mënyrë agresive kundër Kosovës duke e shkelur “frymën” e normalizimit të marrëdhënieve; dhe po, po kërkojmë që BE t’i përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës. Çuditërisht ajo vetëm ka heshtë, mos të them që i ka injoruar këto kërkesa. Kështu e ke kur Mogherini e humbë kredibilitetin”, ka thënë Deda.