Abidin Lepraj, u lind në fshatin Pllavë të Opojës, komuna e Dragashit. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Dragashit, kurse dy vite të fakultetit, dega e gjuhës frënge, në Prishtinë. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike i ndërpret studimet dhe, si shumë moshatarë të tjerë të kësaj ane, fati e dërgoi në kurbet, në Paris. Atje punoi dhe studioi gjuhën frënge. Pasi në mërgim vërejti rrezikun e asimilimit të fëmijëve të shqiptarëve tanë, të cilët gjithshtu ishin në kurbet me familjet e tyre, apo edhe si të ikur nga zullumi serbë, shumë herët e filloi veprimtarinë e tij të ngjeshur iluministe.

Fillimisht i përvishet punës së palodhshme për t’i ndihmuar fëmijët shqiptrë që ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Si rezultat i këtij angazhimi, në Paris dhe rrethinë hapen paralelet e para, me mësim në gjuhën shqipe. Gazetat dhe revistat kosovare atëbotë e bënë të njohur emrin e këtij patrioti të shquar, i cili nuk kurseu asgjë për çështjen kombëtare. Më vonë, me kontributin e tij dhe të disa patriotëve të tjerë, hapet edhe paralelja e gjimnazit, me mësim plotësues. Ndodhi kjo në vitin 1987, në Parisin e bukur, për të cilin Abidini kishte dëgjuar shumë qysh kur ishte fëmijë.

Për një punë të tillë i duhej edhe mbështetja e patriotëve të tjerë. Për këtë arsye, ai rreth vetes tuboi shumë të rinj të mërguar shqiptarë.
Kështu, në vitin 1982 e themeloi Klubin e punëtorëve shqiptarë, të cilin e pagëzuan me emrin “Trepça”, në shenjë respekti ndaj minatorëve të Trepçës. Kryetar i parë i këtij klubi zgjidhet Abidini. Ky klub luajti një rol mjaft të rëndësishëm, duke u bërë si vatër e vërtetë për shumë veprimtarë që jetonin atje. Ata tani, në mënyrë të organizuar, parashtruan shumë kërkesa drejtuar botës demokratike, duke sensibilizuar çështjen e shqiptarëve të Kosovës, për të cilën bota asokohe dinte shumë pak, ose aspak. Ishte koha kur në Kosovë represioni i pushtetit serbë kishte arritur kulmin, ku pas trazirave të pranverës ’81, mbi shqiptarë ushtrohej një dhunë e paparë.

Me kontributin e Abidinit, në kuadër të këtij klubi të shqiptarëve themelohet edhe Shoqëria kulturo artistike, po me të njëjtin emër. Qëllimi i themelimit të këtij klubi nuk ishte vetëm që të ngjallej jeta kulturore e mërgimtarëve tanë, por ai bëhet një çerdhe e vërtetë e atdhetarëve shqiptarë, duke mbajtur lidhje me klube të shumta, jo vetëm të shqiptarëve, po edhe të vendeve të tjera që kishin simpati për popullin shqiptarë në Kosovë. Me themelimin e këtij klubi i kthehen jetës të gjithë ata mërgimtarë tanë, të cilët kishin rënë në amulli të plotë, duke rrezikuar edhe asimilimin.

Abidini që zakinisht fliste pak, por punonte shumë, bashkë me shokun e tij, Nazmi Istrefin, atëbotë kanë strehuar shumë refugjatë shqiptarë, të cilët kishin vërshuar perëndimin për të kërkuar shpëtim. Dhe, e tëra kjo bëri që ky klub, si dhe restoranti i tij për shkak të veprimtarisë ishin vënë në shënjestër të sigurimit famëkeq UDB. Për më tepër, në këtë klub asokohe ndodhë edhe një incident, në momentin kur Abidini nuk lejon që të hiqet flamuri ynë kombëtar nga lokalet e klubit, si kërkesë e prerë ambasadorit jugosllav. Me këtë rast ndërmjet tij dhe Abidinit zhvillohet edhe një duel i ashpër verbal. Ndodhi kjo në mars të vitit 1987. Duhet theksuar se nuk ishte ky rast i vetmuar. Raste të tilla asokohe ndodhnin shpesh. Abidini kurrë nuk lëshoi pe, por kundërshtarët e përbetuar këtë nuk ia harruan kurrë.
Mysafirë të restorantit të tij ishin edhe shumë emra të njohur të intelektualëve shqiptarë. Ndër ta duhet veçuar edhe të madhin Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Elenën. Aty ishte edhe vendtakimi i shumë delegacioneve nga Kosova dhe Shqipëria, duke u bërë kështu një çerdhe e vërtetë e atdhetarëve tanë.

Bashkëveprimtarët e Abidinit pohojnë se ai ka merita të veçanta për financimin e Dr. Bernard Benedetit, toksologut me famë botërore dhe anëtar i Shoqatës “Mjekët e botës”. Kosovarët nuk do ta harrojnë kurrë emrin e Benedetit, ngase ai iu rrek i pari, me shumë seriozitet, çështjes së helmimit të nxënësve shqiptarë, duke analizuar mostrat e gjakut, dhe në fund del para opinionit botëror me konstatimet e sakta, të cilat dëshmonin se fëmijët e Kosovës vërtetë ishin të helmuar. Ishte kjo një punë mjaft e guximshme në atë kohë, kur propaganda serbe bënte çdo gjë për ta mashtruar botën, duke e fshehur të vërtetën.

Për të gjitha këto, kriminelët serbë, të cilët më parë kishin vrarë vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën, Enver Hadrin dhe patriotë të tjerë, vendosën që ta likuidojnë edhe Abidinin. Në këtë mënyrë, pas një skenari të përgatitur mirë, UDB-ja jugosllave, në restorantin e tij, me 1 janar të vitit 1992, pas pritjes së Vitit të Ri, kishte përgatitur aksionin ku fillimisht gjëmon një lëndë shpërthyese, dhe me këtë rast Abidini pëson lëndime të rënda trupore, nga pasojat e të cilave ndërron jetë në një spital të Parisit, ende pa i mbushur 40 pranvera. Mirëpo vepra e tij patriotike, mbeti në përjetësi.

Në varrimin e tij, në vendlindje, morën pjesë, pos opojarëve, edhe shumë shqiptarë nga viset tjera shqiptare. Dhe, që atëherë vdekjen e tij e mbuloi njëfar misteri. Në kulmin e veprimtarisë së tij atdhetare, përmes klubit “Trepça” ai vuri kontakte të drejtëpërdrejta me shumë personalitete të shquara politike, jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, po edhe nga shumë vende evropiane. Kontaktoi, çdo ditë, personalitete të penës e të kulturës. Në këtë mënyrë, ai bëhet ndër të parët nga mërgimtarët tanë që e hetoi orën e historisë, e cila më pas filloi të ecë në të mirë të shqiptarëve të Kosovës. Punoi në heshtje, pa zhurmë, po puna e tij ishte me vlerë të madhe. Me përgatitjen e tij intelektuale, i pajisur me një kulturë të gjerë politike e atdhetare, ai arriti të gëzojë një autoritet të pakonstetueshëm në radhët e mërgimtarëve shqiptarë, gjithandej në Evropë.

Në ceremoninë mortore të këtij patrioti të paepur, në emër të klubit të punëtorëve shqiptarë “Trepça”, kishte folur edhe miku i tij i pandarë, Xhemajl Asipi, nga fshati Shemeshovë i Tetovës. Evokimi i kujtimeve të tij për jetën dhe veprimtarinë e Abidinit përcillet me shumë lot…
Më në fund institucionet tona, nuk e lanë në harresë jetën dhe veprimtarinë e Abidin Leprajt, ku në prill të vitit 2017, u shpall dëshmor i kombit.

Autor : Bedri Halimi