Kosovën po e mban në këmbë ekonomikisht diaspora jonë ku sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), Fehmi Mehmeti, diaspora gjatë vitit 2018 në Kosovë ka kontribuar me 800 milionë euro, por besohet se shuma e parave që hyjnë në Kosovë realisht është gati 2 miliardë euro.
Sipas analistëve, diaspora nuk mund ta mbajë gjithmonë barrën ekonomike të Kosovës dhe të mbajë familjet që nuk sigurojnë të ardhura kur këtë duhet ta bëjë vetë shteti ligjor. Ata thonë se nëse nuk shfrytëzohen potencialet e diasporës në fushën e investimeve në industri dhe në fushat e tjera të ekonomisë, nuk mund të kemi zhvillim ekonomik.
Analisti Faik Krasniqi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se paratë e diasporës mbajnë qetësinë sociale në Kosovë. “Kjo qetësi sociale ka bërë që populli të mos protestojë kundër pushtetarëve. Sikur të mos vinin para nga diaspora, qoftë përmes remitancave dhe qoftë duke i kaluar pushimet në vendlindje, populli për shkak të gjendjes së mjerueshme s’do t’i ndalte protestat deri në largimin e këtyre pushtetarëve. Shqiptarët në diasporë kanë me qindra-mijëra biznese.
Shumë prej tyre bizneseve shumë të suksesshme, por në Kosove kemi shumë pak investime nga diaspora. Kjo për faj të pushtetarëve që nuk kanë krijuar një klimë të përshtatshme për të bërë biznes në Kosovë”, është shprehur analisti Krasniqi. Sipas tij, korrupsioni, haraçi, jostabiliteti politik janë disa nga arsyet. “Për shkak të kësaj pasigurie, kemi edhe mungesë të investimeve nga biznesmenët shqiptarë që jetojnë në shtetet perëndimore.
Sikur çdo biznes shqiptar nga diaspora të bënte vetëm nga një investim të vogël në Kosovë, ekonomia e Kosovës do të ishte shumë më e zhvilluar dhe papunësia madje s’do të ekzistonte fare, sepse jemi shtet i vogël”, është shprehur ai. Shtoi se politike mafioze i ka trembur edhe bizneset shqiptare të vijnë të investojnë në vendlindje, e lëre më bizneset e huaja që nuk vijnë kurrë.
Analisti Dardan Grapci theksoi për gazetën “Kosova Sot” se diaspora gjithmonë ka qenë kontributdhënëse sa i përket ndihmës që i ka bërë Kosovës. “Diaspora jo vetëm tani, por edhe gjatë regjimit të Milosheviqit ka qenë ajo që i ka ndihmuar qytetarët e Kosovës në atë kohë me ndihma financiare ku nxënësit e asaj kohe t’i kenë librat në gjuhën shqipe falas, pa pasur nevojë që t’i blejnë ato. Mendoj që Qeveria e Kosovës, që nga pas lufta është duke e lënë anash diasporën, por unë mendoj që do të ishte mirë që t’i hapet rruga diasporës që të investojnë në Kosovë, dhe ku krijohen mundësi për hapjen apo ndërtimin ndonjë fabrike ku do të mund punësoheshin deri 2000 punëtorë”, theksoi ai.
“Nëse çdo vit thuajse diaspora e ka ndihmuar Kosovën me 800 milionë euro, unë kam një pyetje – ku po shkojnë ato para? Kush po i merr? Pse askush me paratë që po hyjnë nga diaspora nuk investohen në arsim, shëndetësi dhe krijime të vendeve të punës? Apo dikush po e merr një pjesë të asaj që të pasurohet vetë?
Do të ishte mirë që të krijohet një grup i njerëzve civilë nga diaspora në Kosovë që të kujdesen për të hyrat nga qytetarët e Kosovës që po jetojnë në diasporë dhe ky grup të vendosë se ku të investohet një pjesë e atyre të hyrave, vetëm në këtë mënyrë do të mund të shohim një shpresë për rininë e Kosovës”, është shprehur ai.
“Është një fakt i pamohueshëm se edhe pas 20 viteve të çlirimit të Kosovës, dhe 11 vite shtet, mërgata jonë akoma po e bart barrën e rëndë të financimit të familjeve në Kosovë, duke kontribuar në rritjen e të hyrave në Kosovë. Pjesa më e madhe e të hyrave nga mërgata jonë shkojnë në konsum, paluajtshmëri dhe shpenzime që mërgimtarët tanë bëjnë gjatë vizitave në Kosovë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël janë të destinuara për investime.
Dhe këto investime të vogla nuk janë për fajin e tyre, por për fajin e politikave të gabuara dhe korruptive të institucioneve tona, që nga pushteti lokal e deri te qeveria qendrore, të cilat nuk kanë një strategji adekuate për të nxitur dhe për të promovuar investimet e mërgatës tonë në Kosovë. Përmes kësaj strategjie do të shfrytëzonim potencialin e madh që ka mërgata jonë duke iu krijuar kushte të volitshme për investimet e tyre në vend, sidomos në fushën e prodhimtarisë, me çka do të arrinim edhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shteti i Kosovës duhet të jetë në shërbim e në mbrojtje të prodhimit vendor, sepse një politikë e tillë e rrit mundësinë për zhvillim ekonomik dhe po ashtu siguron edhe qëndrueshmëri financiare, dhe në këtë aspekt mërgata jonë me investimet e saja do të kontribuonte jashtëzakonisht shumë.
Deri më tani ajo që ne kemi bërë për mërgatën tonë është, zhvatja e tyre gjatë me rastin e ardhjes së tyre për pushime në Kosovë përmes detyrimit të pagesës së policave të sigurimit për automjetet, gjë që e ka shtrenjtuar shumë udhëtimin e tyre për në Kosovë”, theksoi analisti Nexhat Haziri për gazetën “Kosova Sot”.