Në Komunën e Dragashit është hapur sot zyrtarisht fushata “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Familje”, përmes një tubimi simbolik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe qytetarëve.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i komunës, kryesuesi i Kuvendit Komunal, zyrtarë të tjerë komunalë, zyrtarja për barazi gjinore, pjesëtarë nga Mekanizmi Komunal kundër Dhunës në Familje, si dhe qytetarë të tjerë. Gjatë këtyre 16 ditëve, në kuadër të kësaj fushate, do të zhvillohen aktivitete të ndryshme sensibilizuese në mbarë komunën, na ka informuar zyrtarja për barazi gjinore, znj. Lindita Piraj.
Në një fjalë rasti, kryetari i komunës e përshëndeti këtë organizim, duke theksuar se dhuna nuk është çështje private e askujt, por një problem serioz i shoqërisë që kërkon vëmendjen dhe angazhimin e të gjithëve. Ai shtoi se Komuna e Dragashit ka obligim institucional dhe njerëzor që të jetë e vendosur në parandalimin e çdo forme të dhunës dhe në sigurimin e një mjedisi të qetë për të gjithë.
©TVOPOJA