
Shkolla e Mesme e Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash ka zyrtarizuar një bashkëpunim të rëndësishëm me OJQ-në AVOKO dhe organizatën MUS-E Kosova, me synim avancimin e aftësive profesionale, praktike dhe krijuese të nxënësve të këtij institucioni arsimor.
Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar me OJQ-në AVOKO, nxënësit e klasës 11/6 të drejtimit Teknik i Sistemeve të TIK-ut do të realizojnë praktikën e tyre profesionale pranë kësaj organizate, duke fituar përvojë konkrete pune dhe duke zbatuar në praktikë njohuritë e marra gjatë procesit mësimor.
Përveç praktikës së obligueshme shkollore, OJQ AVOKO dhe MUS-E Kosova po ofrojnë edhe trajnime të veçanta për zhvillimin e shkathtësive të reja në fusha të ndryshme. Një ndër këto mundësi është trajnimi dymujor në rrobaqepësi (me dinamikë prej një ore në javë), i cili po organizohet në orët e paradites në mënyrë që të mos pengojë vijimin e rregullt të mësimit në ndërrimin e pasdites. Një mbështetje e veçantë për pjesëmarrëset është edhe mbulimi i plotë i shpenzimeve të transportit dhe ushqimit, duke u lehtësuar kështu vijueshmërinë në këto aktivitete.
Drejtoria e ShML “Ruzhdi Berisha” e ka vlerësuar lart këtë nismë, duke falënderuar OJQ-në AVOKO dhe MUS-E Kosova për angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, me bindjen se investimi në shkathtësitë e nxënësve përbën një investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e tyre.
©TVOPOJA