Vazhdojnë reagimet për deponinë inerte në Rrenc, përfshihen partitë politike dhe zyrtarët komunalë

AktualitetInfrastrukturëInstitucione2 hours ago255 shikime

Debati rreth projektit për ndërtimin e deponisë së mbetjeve inerte në fshatin Rrenc po vazhdon të zgjerohet, me reagime të reja nga përfaqësues politikë dhe zyrtarë të Komunës së Dragashit.

Asambleisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Loshaj, i është drejtuar publikisht kryetarit të Komunës, Bexhet Xheladini, duke i kërkuar që të reflektojë dhe të rishqyrtojë vendimin për ndërtimin e deponisë. Ai ka kritikuar deklaratën e kryetarit se “vetëm Zoti dhe gjykata mund ta ndalin projektin”, duke kërkuar një kërkimfalje publike dhe duke vlerësuar se një gjuhë e tillë nuk i shërben dialogut.

Loshaj ka kundërshtuar gjithashtu arsyetimin se projekti duhet të vazhdojë për të mos humbur grantin prej rreth 250 mijë eurosh, duke theksuar se ekzistojnë mundësi për ndryshimin e lokacionit. Sipas tij, qytetarët nuk janë kundër investimeve, por kërkojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shmangien e rrezikut për banorët.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin Komunal, Granit Rifaj, ka propozuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal me një pikë të vetme të rendit të ditës: shqyrtimin dhe anulimin e vendimit për ndërtimin e deponisë në lokacionin e Rrencit.

Sipas Rifajt, nëse kryetari i komunës nuk ka kompetencë ligjore për ta ndalur projektin, atëherë përgjegjësia i takon Kuvendit Komunal, i cili e ka miratuar vendimin. Ai ka propozuar që, pas anulimit të vendimit, të nisë një proces transparent për identifikimin e lokacioneve alternative, duke sugjeruar ndërtimin e dy deponive inerte, një për Opojën dhe një për Gorën.

Mbështetje për banorët e Rrencit ka shprehur edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Sharr, e cila vlerëson se shqetësimet e banorëve janë legjitime dhe meritojnë trajtim serioz nga institucionet komunale.

Në reagimin e saj, LVV i ka bërë thirrje Komunës së Dragashit që të vazhdojë dialogun me banorët, të shmangë polemikat publike, të rishqyrtojë përdorimin e mjeteve të Grantit të Performancës për projekte të tjera dhe të analizojë mundësinë e ndryshimit të lokacionit të planifikuar për deponinë.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka publikuar një sqarim të ri lidhur me projektin. Ai ka ritheksuar se nuk posedon kompetencë ligjore për të ndalur ndërtimin e deponisë, pasi vendimi është miratuar nga Kuvendi Komunal dhe mbështetet në vendime të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve përkatëse.

Xheladini ka sqaruar se deklarata e tij se “mbi mua janë vetëm Zoti dhe Gjykata” është keqinterpretuar dhe se me këtë ka nënkuptuar se vetëm një vendim gjyqësor i formës së prerë mund ta ndalojë projektin. Ai ka theksuar se ndërprerja e projektit do t’i shkaktonte komunës humbjen e rreth 250 mijë eurove dhe se lokacioni nuk është përcaktuar nga ai, por është pjesë e Planit Zhvillimor Komunal dhe është miratuar nga institucionet kompetente.

Kryetari ka mohuar gjithashtu pretendimet se deponia do të ndërtohet pranë lapidarit të dëshmorëve, duke deklaruar se distanca nga lapidari deri te zona e planifikuar për depozitimin e mbetjeve është mbi 400 metra. Ai ka bërë thirrje që debati të zhvillohet me respekt dhe mbi bazën e fakteve.

Në reagimet e fundit është përfshirë edhe shefja e kabinetit të kryetarit, Arijeta Qafleshi Skeraj, e cila ka deklaruar se emri i saj është përdorur pa të drejtë në debatet publike. Ajo ka theksuar se nuk dëshiron që qëndrimet e saj të keqpërdoren për propagandë politike dhe ka mbrojtur angazhimin e kryetarit për dialog me banorët.

Në të njëjtën kohë, Qafleshi Skeraj ka bërë të ditur se ajo dhe familja e saj i bashkohen vullnetit të familjes së dëshmorit Abdurrahman Gërdellaj dhe banorëve të fshatit Rrenc lidhur me këtë çështje, duke bërë thirrje për qetësi, respekt dhe vazhdimin e dialogut.

Çështja e ndërtimit të deponisë inerte në Rrenc vazhdon të mbetet një nga temat më tëdiskutuara në Komunën e Dragashit, ndërsa deri më tani nuk është arritur një marrëveshje mes institucioneve komunale dhe banorëve të fshatit.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...