Reagim nga Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ndaj deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje për tarifat e mbeturinave

Aktualitet4 hours ago54 shikime

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka reaguar ndaj deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kandidatit për kryetar, Filiz Mustafa, lidhur me vendimin e fundit për harmonizimin e tarifave të grumbullimit të mbeturinave.

Në reagimin e tij, Xheladini theksoi se vendimi nuk është marrë në mënyrë të njëanshme nga ekzekutivi komunal, por është miratuar nga Kuvendi Komunal, si organi më i lartë vendimmarrës. Ai sqaroi se kërkesa fillestare e kompanisë “Ekoregjioni” ishte për rritje më të lartë të tarifave – nga 5.50€ në 7.50€ për rezidentët dhe nga 20€ në 36€ për jo-rezidentët. Pas diskutimeve, Kuvendi vendosi një rritje më të ulët, duke e caktuar tarifën për rezidentët në 6.50€ në muaj dhe për jo-rezidentët në 30€ në vit.

Kryetari shtoi se shumica e komunave të rajonit tashmë kanë tarifa më të larta, që variojnë nga 7€ deri në 8€ për ekonomitë familjare, ndërsa për jo-rezidentët tarifa vjetore është 36€. Ai theksoi se Dragashi nuk ka aplikuar rritje për bizneset, ndryshe nga komunat e tjera.

Si arsye kryesore për rritjen e tarifave, Xheladini përmendi humbjet financiare të njësisë operative në Dragash, të shkaktuara nga rritja e kostos së naftës, shtrenjtimi i pjesëve rezervë për kamionët dhe pajisjet operative, si dhe rritja e përgjithshme e shpenzimeve. Po ashtu, pas vendimit të institucioneve qendrore për rritjen e pagës minimale, kompania është obliguar të harmonizojë pagat e punëtorëve, duke siguruar që asnjë punëtor të mos paguhet nën 500 euro.

Kryetari e cilësoi të papranueshme përpjekjen e disa përfaqësuesve politikë për ta paraqitur vendimin si barrë të panevojshme për qytetarët, duke injoruar faktet dhe realitetin ekonomik. Ai theksoi se përgjegjësia institucionale është të sigurohet vazhdimësia dhe cilësia e shërbimeve publike, përmes vendimeve të balancuara dhe të qëndrueshme.

Në fund, Xheladini garantoi se Komuna e Dragashit do të vazhdojë të veprojë me transparencë dhe përgjegjësi, gjithmonë në interes të qytetarëve dhe funksionimit të rregullt të shërbimeve komunale.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...