
Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Arijeta Skeraj, realizuan sot një vizitë te humanisti i njohur Halil Kastrati, themelues dhe udhëheqës i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”.
Gjatë takimit u diskutua rreth mundësive për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Dragashit dhe kësaj shoqate, me qëllim mbështetjen e qytetarëve në nevojë, përmes projekteve konkrete që përfshijnë ndërtimin e shtëpive të banimit për familjet me kushte të rënda ekonomike. U theksua se ky bashkëpunim do të bazohet në bashkëfinancim ndërmjet komunës dhe shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.
Po ashtu, u trajtua edhe ideja për ndërtimin e një qendre rekreative, sportive dhe turistike në territorin e komunës. Duke pasur parasysh potencialin e madh natyror dhe gjeografik të Dragashit, një investim i tillë do të kontribuonte ndjeshëm në zhvillimin e turizmit dhe sportit lokal, duke i sjellë përfitime të drejtpërdrejta komunitetit.
Në përmbyllje të takimit, Kryetari Xheladini e uroi z. Halil Kastrati me rastin e nisjes për në Haxh, duke i dëshiruar udhëtim të lehtë dhe të pranuar. Nga ana tjetër, humanisti Kastrati i falënderoi përfaqësuesit komunal për vizitën dhe interesimin e treguar, duke premtuar një vizitë në Dragash pas kthimit nga Haxhi, për të konkretizuar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë.