
Sot bëhen 26 vite nga Masakra e Tusuzit në Prizren, një nga ngjarjet më të rënda gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila tronditi qytetin e Prizrenit dhe mbarë opinionin publik.
Më 26 maj 1999, forcat speciale serbe, të përkrahura nga formacione paramilitare, ndërmorën një operacion të përgjakshëm në lagjen Tusuz të Prizrenit, duke ekzekutuar 27 civilë të pafajshëm dhe duke shkrumbuar 245 shtëpi, në një akt që përfaqëson qartazi gjenocidin.
Sipas dëshmitarëve të mbijetuar, forcat kriminale serbe kanë hyrë me brutalitet shtëpi më shtëpi, duke ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, plaçkitur pasuritë dhe më pas i kanë ekzekutuar pa mëshirë civilët shqiptarë të moshave të ndryshme. Sulmi ka vazhduar deri në orët e pasdites, duke lënë pas një lagje të tërë të djegur dhe dhimbje të pashuar për familjet e viktimave.
Ndër 27 martirët, 10 prej tyre ishin me prejardhje nga treva e Opojës, ndër ta:
Behar Abdylmegjiti (Bresanë)
Shefik Abdylmegjiti (Bresanë)
Sami Abdylmegjiti (Bresanë)
Rafet Abdylmegjiti (Bresanë)
Hyrmet Sylejmani (Bresanë)
Hesat Xhimshiti (Bresanë)
Bejan Xhimshiti (Bresanë)
Mirsad Osmani (Kuk)
Bislim Qengaj (Pllajnik)
Selvinaze Qengaj (Pllajnik)
Në lagjen Tusuz, qëndron sot një përmendore përkujtimore, ku janë të skalitur emrat e 27 viktimave të kësaj masakre, për të mos lejuar që historia të harrohet. Në këtë përmendore lexohet edhe amaneti prekës i dëshmorëve:
“Amaneti ynë: Punoni, duani dhe ndihmoni njëri-tjetrin, çmojeni këtë liri që ua solli gjaku ynë dhe i mijëra të tjerëve, nëse nuk doni që t’u përsëritet historia… Kosovë e larë me gjak ndër shekuj e mote, gjaku ynë hallall të qoftë, lamtumirë Prizren historik, gjaku ynë t’u bëftë dritë…”
Fatkeqësisht, edhe pas 26 vitesh, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje të merituar për këtë krim të rëndë. Asnjë nga autorët e masakrës nuk është dënuar, ndërkohë që familjet e viktimave dhe shoqëria në tërësi vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Kjo masakër e përgjakshme mbetet një nga plagët më të rënda të historisë së re të Prizrenit dhe një kujtesë e përhershme për sakrificën që u bë për lirinë e Kosovës.
© TVOPOJA