Komuna e Dragashit, pas mbledhjes së Këshillit të Komunës për Siguri në Bashkësi, ka vendosur të ndalojë përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë periudhës së fundvitit. Në një deklaratë të kryetarit të komunës, u theksua rëndësia e këtij vendimi për të garantuar sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve gjatë festimeve.
Urdhëresa ndalon përdorimin e produkteve piroteknike në vendet e hapura publike nga data 27 dhjetor 2024 deri më 10 janar 2025, përveç natës së Vitit të Ri, nga ora 23:00 e datës 31 dhjetor 2024 deri në orën 00:30 të datës 1 janar 2025. Kryetari i komunës bëri thirrje për respektimin e këtij vendimi dhe paralajmëroi se çdo shkelje do të trajtohet sipas ligjeve në fuqi. Ai theksoi se qëllimi i këtij urdhërimi është të shmanget ndonjë incident që mund të rrezikojë sigurinë e qytetarëve dhe pronave të tyre.
Kryetari gjithashtu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi gjatë periudhës së festimeve, duke respektuar urdhëresën dhe duke kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë. Vizitorët dhe banorët e zonës janë të inkurajuar të shijojnë festimet e fundvitit pa përdorimin e mjeteve piroteknike dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë publike.
©TVOPOJA