Pas përditësimit të hartave me aktivitetet sizmike brenda 24 orëve të fundit nga Instituti i Gjeoshkencave në Tiranë, del që tërmetet e natës së mbrëmshme e kishin epiqendrën shumë më afër komunës sonë sesa ishte publikuar fillimisht.
Dridhjet e para të orës 01:46, me një fuqi prej 4 shkallësh të Rihterit, dhe tërmeti i dytë pasues i orës 03:59, me një fuqi prej 3.3 shkallësh, janë regjistruar me epiqendër në fshatin Brezne të Komunë sonë, në një largësi 705 metra nga njëri-tjetri dhe në një thellësi prej 3.6km dhe respektivisht 5.8km brenda sipërfaqes së tokës.
Burimi i Hartave: https://albquake.geo.edu.al/
Këto dridhje janë ndier në të gjithë rajonin e Prizrenit e edhe matanë kufirit në Shqipëri dhe Maqedoni. Kohëzgjatja e të dy tërmeteve ishte e shkurtër dhe fuqia e tyre, sipas sizmiologëve, cilësohet si tërmete të lehta që shkaktojnë dridhje të dukshme të objekteve të brendshme dhe zhurma të bezdisshme. Ato ndjehen nga shumica e njerëzve në zonën e prekur.
Zakonisht nuk shkaktojnë asnjë dëm, ose dëmet mund të jenë minimale. Brenda një viti, në të gjithë globin ndodhin rreth 10,000 deri në 15,000 tërmete të tilla!
©TVOPOJA