Rilind Fetahu, Nxënësi i shkollës së mesme ” Ruzhdi Berisha”, ka arritur ti grumbullojë 94 pikë në testin e Maturës, raporton TV Opoja.

Ai thotë se përgatitjet për këtë i ka nisur qysh në në klasën e dhjetë duke punuar në përmirësimin e aftësive në lëndët e përgjithshme.

Synimi i tij tani është që të studioj në Fakulltetin e Mjekësisë.

”Në këtë rrugëtim, shkolla e mesme ‘’Ruzhdi Berisha’’ luajti një rol jashtëzakonisht të madh. Qysh në klasën e dhjetë, fillova të punoj në përmirësimin e aftësive të mia në lëndët e përgjithshme, si dhe në shfletimin e literaturave të reja në lëndën e kimisë dhe biologjisë, lëndë këto të nevojshme për regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë, i cili është dhe synimi im.”, ka shkruar Fetahu, përcjell TV Opoja.

Shkrimi i plotë nga Rilind Fetahu:

Periudha e shkollës së mesme, si për shumicën e njerëzve edhe për mua ishte mjaft interesante. Ishte një periudhë me shumë ngritje dhe ulje, si dhe një mundësi për gjetjen dhe njohjen e vetes në aspektin akademik.

Interesimi im për shfrytëzimin maksimal të shkollës së mesme për përgatitje të testit të Maturës dhe sfidave tjera për regjistrim në Universitet filloi qysh në klasën e dhjetë, kur vërejta se pëlqimi që kisha për lëndët shkencore dhe ato mjekësore ishte tregues i qartë për rrugën që doja të ndiqja.

Në këtë rrugëtim, shkolla e mesme ‘’Ruzhdi Berisha’’ luajti një rol jashtëzakonisht të madh. Qysh në klasën e dhjetë, fillova të punoj në përmirësimin e aftësive të mia në lëndët e përgjithshme, si dhe në shfletimin e literaturave të reja në lëndën e kimisë dhe biologjisë, lëndë këto të nevojshme për regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë, i cili është dhe synimi im. Pandemia pati një efekt të dëmshëm në këtë përgatitje, por me vullnetin tim për të punuar dhe të profesorëve të mi për të më ndihmuar sa herë që kisha nevojë, pengesat u bënë më të lehta.

Rezultati prej 94 pikësh në testin e Maturës ishte i kënaqshëm, por edhe i pritshëm. Pas përgatitjeve pothuajse dyvjeçare çdo ditore kam arritur të parashikoja me saktësi se do plotësoja mbi 90% të kërkesave.

Falënderoj profesorët e shkollës së mesme ‘’Ruzhdi Berisha’’, pa kontributin e të cilëve nuk do të ishte i mundur një rezultat i tillë./opoja.tv