Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zv.ministri i Mbrojtjes, Adnan Rexheplar dhe ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, sot realizoi vizitën në komunën e Dragashit.
Me këtë rast, ai u prit nga kryetari i komunës së Dragashit, z. Shaban Shabani dhe stafi tij në përbërje prej nënkryetarëve, drejtorëve të drejtorive komunale dhe komandantit të policisë së Dragashit.
Në takimin e zhvilluar, ministri Mehaj u njoftua nga kryetari Shabani me zhvillimet dhe aktivitetet politike dhe institucionale në komunë, të arriturat e përgjithshme në të gjitha fushat si dhe sfidat aktuale me të cilat ballafaqohen udhëheqja dhe qytetarët e kësaj komune. Gjithashtu, ata falënderuan Ministrin Mehaj, për vizitën dhe interesimin e tij duke shprehur mirënjohjen për gatishmërinë e përhershme të FSK-së për mbështetje dhe ndihmën konkrete të ofruar me të gjitha kapacitetet e saj duke rikujtuar edhe operacionin e madh të kërkim-shpëtimit të njësive të FSK-së, në fshatin Restelicë, në shkurt të vitit 2012. Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për angazhimin e përbashkët për inkuadrimin edhe më të madh të të rinjve dhe të rejave nga radhët e komuniteteve në FSK nga kjo komunë. Sa i përket çështjes së sigurisë, u vlerësua lart angazhimi i përfaqësuesëve të FSK-së në kuadër të Këshillit Rajonal për Siguri të Prizrenit sikur që u vlerësuan si shumë të mira marrëdhëniet ndëretnike në mesin e banorëve të kësaj komune.
Nga ana e tij, ministri Mehaj falënderoi për pritjen dhe vlerësoi të arriturat e deritashme të udhëheqjes të komunës, duke shprehur gatishmërinë për angazhimin e tij konkret në të mirën e qytetarëve të kësaj komune. Ai u njoftoi se ndër prioritetet e tij do të jetë rritja e numrit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve në FSK, për çka kërkoi angazhimin konkret të të gjitha autoriteteve.