NJË MUAJ NGA NISJA (DHE NDËRPRERJA) E PUNIMEVE NË NDËRTIMIN E URËS NË LAGJEN DURAJ!

Më 18 gusht 2020 kanë nisur punimet në ndërtimin e urës në lagjen Duraj të fshatit Bresanë, komuna e Sharrit.

Ndërtimi i kësaj ure bashkë me infrastrukturën përcjellëse do t’i kushtojë buxhetit të komunës 8,437.42€ ndërsa punimet u janë besuar kompanive: Multi Business Group -Sh.p.k & Alba Construksion-Sh.p.k.

Pas vetëm dy ditë pune në prishjen e urës së vjetër, këto kompani e patën ndërprerë punën dhe qenë zhdukur dikah duke e lënë eskavadorin në vendpunishte. Një javë më pas u rikthyen, punuan përseri dy ditë, i sollën disa fije armature, dhe nuk janë kthyer kurrë më!

Për më keq akoma, kompanitë e kontraktuara në ndërtimin e urës nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masash për sigurimin e vendpunimit (për ç’gjë i obligon edhe kontrata) duke i rrezikuar kështu banorët e lagjes e në radhë të parë fëmijët të cilët lëvizin çdo ditë atypari!

Nuk dihen cilat janë arsyet e kësaj ndërprerjeje por është momenti i fundit që zyrtarët komunalë të ndërmarrin diçka në këtë drejtim që të evitohet më e keqja.
Unë kam pasur rastin që ta lexoj kontratën për ndërtimin e urës dhe aty në detaje ishin paraparë edhe masat e sigurimit të vendpunishtes por edhe penalizimet në rast të vonimit apo ndërprerjes së punimeve!

Po u vazhdua me këtë papërgjegjësi, ura e re nuk do të ndërtohet me muaj të tërë, aq më tepër që tani po hyjmë në muajt e vjeshtës kur si pasojë e reshjeve atmosferike punimet do të vështirësohen edhe më tepër e nga ana tjetër shtohet rreziku për banorët e lagjes e në radhë të parë fëmijët të cilët çdo ditë lëvizin atypari!

Ftojmë kryetarin e komunës z. Shaban Shabani dhe kompetentët tjerë komunalë të ndërmarrin veprime urgjente që në radhë të parë të sigurohet vendpunishtja dhe të vazhdojnë punimet sa nuk ka ndodhur më e keqja, në të kundërtën përgjegjësia kryesore bie mbi ta!

Më poshtë po i postojmë disa fotografi që tregojnë gjendjen e vendpunishtes e cila përbën rrezik permanent për banorët e lagjes!