Kandidati i LDK-së për Dragashin, Bexhet Xheladini, ka thënë se votat e mërgatës në këtë komunë janë të pastërta si loti.

Ai u shpreh se PZAP-ja duhet t’i thërrasë në telefon qytetarët në mërgatë nëse kanë votuar apo jo, dhe nëse dikush përgjigjet që nuk ka votuar, Xheladini ka thënë se do t’ia urojë fitoren kundërkandidatit të tij nga PDK-ja, Shaban Shabani.

“I lus qytetarët të rrijnë të qetë sepse votat tona janë të pastërta si loti. Ne kemi shumë dëshmi e argumente për t’i vërtetuar këto. Vendimi i PZAP-së për anulimin e votave të mërgatës tonë e kam pritur si një vendim të papritur, i paprecedentë në sistemin e Kosovës. T’i anulosh në bllok të gjitha votat e rregullta, të cilat vota KQZ-ja i ka kaluar në të gjitha filtrat, t’i anulosh votat e të gjithë qytetarëve tanë që kanë shprehur vullnetin për ndryshim në komunën, kanë bërë harxhime për t’i dërguar këto vota. Vendimi i PZAP-së është i paargumentuar, i pabazë, jo i nderë për qytetarët tanë që jetojnë jashtë. Mendoj që PZAP-ja nuk është vu fare në shërbim të procesit zgjedhor, ajo vetëm ka miratuar kërkesën e PDK-së pa argumentuar faktet që gjenden në KQZ. Kam kërkuar nga PZAP-ja që t’i thërrasë me telefon të gjithë qytetarët që kanë votuar në rundin e dytë që t’i pyes ata a kanë votuar apo jo. Nëse këta qytetarë deklarojnë se nuk kanë votuar, atëherë KQZ-ja le t’i anulojë këto vota dhe unë do të isha i pari që do t’i uroja fitoren kandidatit të PDK-së. Ky është argumenti më i mirë dhe më i fortë për të ditur nëse qytetarët kanë votuar apo jo”, ka thënë Xheladini në “Interaktiv” të KTV-së.

Xheladini u shpreh i bindur se Gjykata Supreme do ta rrëzojë vendimi e sotëm të PZAP-së, që anuloi të gjitha votat me postë në Dragash.

Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54.