Sot shënohet 1 Maji-Dita e Punëtorëve. Sikur në Kosovë, edhe në Prizren kjo kalohet si një ditë pushimi e feste, ndonëse është ditë proteste për të drejtat e punonjësve. Pra, kjo ditë e pothuajse e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një ditë pushimi, kryesisht për punonjësit në sektorin publik, meqenëse në atë privat jo të gjithë pushojnë.

Edhe kjo ditë e gjen Prizrenin dhe komunat përreth me një numër bukur të madh të të papunëve, një pjesë e të cilëve janë të rinj, që pasi kanë mbaruar shkollimin, presin të gjejnë punë, shkruan “TV OPOJA”.
Në Qendrën rajonale për Punësim në Prizren, si të papunë zyrtarisht janë të paraqitur rreth 20 mijë persona. Por, dihet se numri i tyre është edhe më i madh meqenëse disa persona, fare nuk lajmërohen në këto zyra, pasi nuk shpresojnë, që përmes kësaj forme të gjejnë ndonjë vend pune.

Pjesën me të madhe të punëkërkuesve e përbëjnë të rinjtë, gjegjësisht grup mosha nga 25 deri në 39 vjeç, apo rreth 40 për qind e numrit të regjistruar. Në mesin e punëkërkuesve ka persona edhe me kualifikim superior.

Tri dekada më parë, Prizreni është vlerësuar një gjigant ekonomik. Si qendra e dytë më e madhe në Kosovë ishte një zonë bukur e fuqishme e zhvillimit të kësaj ane. Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, produktet e disa prej fabrikave të këtushme, përfshirë atë të tekstilit “Pinteks” fabrikën e këpucëve “Cona Sport”, pastaj “Filigran-in”, fabrikën ushqimore “Progres”por edhe të tjera kanë qenë të njohura në republikat e atëhershme jugosllave, e bile dhe në disa vende të rajonit.
Vetëm komuna e Prizrenit deri në vitet ’90-ta në sektorin shoqëror ka pasur rreth 20 mijë të punësuar. Siç dihet ata u përjashtuan nga puna nga regjimi serb, ndërsa pas lufte vetëm disa sosh u rikthyen në vendet e dikurshme të punës, për shkak të fillimit të procesit të privatizimit.

Prizrenasit i konsiderojnë vitet e fundit, si gjithnjë e më të vështira për të gjetur një vend pune, duke thënë se kjo po i detyron familjet e tyre të përballen me mungesën e kushteve elementare, përcjell “TV OPOJA”.

Varësisht nga puna, paga tashmë sillet nga 150 euro e lartë. Një mëditje për punë krahu sillet nga 12-15 euro. Kërkesat më të shumta janë në ndërtimtari. Një numër tjetër punon nëpër qendrat tregtare. Pjesa më e madhe e të rinjve punojnë si kamerier, disa me kualifikime superiore.

20 vjet pas luftës, pikësynim kryesor për punë është sektori publik, sidomos arsimi e shëndetësia. Para një viti, për një vend pune, si infermier shëndetësorë, në Lubizhdë të qytetit në listën e ngushtë janë përzgjedhur 83 konkurrues.

Një numër i familjeve ndërkaq, ndodhen në asistencë sociale.

Procesi i privatizimit për të cilin shpresohej se mund të vinte në lëvizje makineritë e fabrikave, nuk dha ndonjë shenjë shprese, e disa e vlerësuan edhe si proces të dështuar, pasi fabrikat u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe ndërtesa afaristo-banesore.