SharriGG e kthen Dragashin në kryeqendrën e sporteve elektronike

Sporti3 hours ago127 shikime

Organizimi i një ngjarjeje të këtyre përmasave kërkon vizion, guxim dhe një punë logjistike të jashtëzakonshme. Këtë vit, Klubi eSport Sharri (SharriGG) dëshmoi se është një forcë e pandalshme, duke e shndërruar Komunën e Dragashit në epiqendrën e sporteve elektronike.

Ky edicion shënoi një nivel të ri pjesëmarrjeje dhe ndjekshmërie: 26 skuadra, me gjithsej 147 lojtarë të regjistruar, zhvilluan mbi 95 përballje me mbi 150 mapa. Transmetimet u realizuan për 10 ditë rresht, me mbi 5 orë çdo ditë në dy kanale zyrtare, duke arritur 80,000 shikime totale. Vetëm nata e finales mblodhi një rekord prej 15,000 shikimesh online, ndërsa postimet në rrjetet sociale kaluan 300,000 ndërveprime, duke e shndërruar këtë ngjarje në një nga aktivitetet rinore më të ndjekura në rajon.

Faza përmbyllëse u zhvillua në formatin LAN në Shtëpinë e Kulturës “Alajdin Xhezairi” në Bresanë, ku u mbajt një maratonë garuese prej 13 orësh, nga ora 13:00 deri pas mesnate. Organizimi u vlerësua lart nga lojtarët dhe publiku për profesionalizmin dhe standardet e larta.

Gara për titull kulmoi me triumfin e skuadrës “Silence”, e cila u shpall kampione pas një rrugëtimi perfekt me 10 fitore pa asnjë humbje, duke mposhtur në finalen BO5 skuadrën “Red Eagles” që zuri vendin e dytë. Podiumi u plotësua nga “Team Bushi” në vendin e tretë. Çmimi MVP iu nda lojtarit Arti “rtsss” Salihu, me një performancë të jashtëzakonshme dhe vlerësim HL Rating prej 1.53.

Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë edhe përfaqësuesit institucionalë: kryetari i komunës Bexhet Xheladini, nënkryetari Vetim Ramadani, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Liridona Misinaj Piraj, si dhe shefja e kabinetit Arijeta Skeraj. Ata ndanë çmimet për fituesit, përfshirë fondin shpërblyes prej 2,100 eurosh, duke dëshmuar mbështetjen e institucioneve lokale për rininë dhe inovacionin.

Projekti u realizua falë partnerëve dhe sponsorëve: Macho, Altwiener Stuben, TV Opoja, Nardi Term, LAN Sport, Kameleoni, Prime Arena, si dhe partnerëve Gjirafa50, AlbGG dhe OJQ AVOKO.

Klubi eSport Sharri shprehu mirënjohje për lojtarët, bashkëpunëtorët, institucionet dhe shikuesit, duke premtuar vazhdimësi me profesionalizëm dhe synimin për të ngritur edhe më tej standardet e sporteve elektronike në vend.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...