Dragashi apo Sharri dallohet për tri karakteristika të veçanta që ka ky rajon: qentë e sharrit (apo pastori ilir), djathin e sharrit dhe është vendbanimi i evtëm ku janë të përqendruar komuniteti goran.

Dragashi është komuna më jugore e Kosovës.
Gjithashtu kjo komunë shtrihet në lartësinë më të madhe mbidetare në Kosovë, 1,500 metra lartësi mbidetare. Komuna e Dragashit ka një territor prej 435 km/2, që e rëndit atë në vendin e dhjetë për nga madhësia gjeografike në Kosovë. Komuna e Dragashit përbëhet nga dy treva etnike – treva e Opojës e banuar me shqiptarë (të shtrirë në 18 fshatra) dhe treva e Gorës e banuar me Boshnjakë-Goranë (poashtu e shtrirë në 18 fshatra), që në total përbëjnë 36 vendbanime.

Dragashi vlerësohet të ketë afër 50,000 banorë (edhe pse sipas statistikave zyrtare popullsia e kësaj komune është rreth 35,000) ku dy të tretat janë shqiptar dhe një e treta janë Goran/Boshnjak.

Komuna e Dragashit shquhet për tolerancë ndëretnike midis këtyre dy bashkësive. Për shkak të resurseve të varfra bujqësore dhe izolimit gjeografik, komuna e Dragashit është një nga rajonet më të pazhvilluara në Kosovë me një shkallë shumë të lartë të papunësisë. Është pikërisht papunësia që ka ndikuar në rritjen e madhe të migrimit të popullatës së kësaj komune.