
Pas vendimit të Asamblesë Komunale të Dragashit për miratimin e rregullores së re të menaxhimit të mbeturinave dhe rritjen e tarifës mujore nga 5.5€ në 6.5€, ka reaguar Filiz Mustafa nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në reagimin e tij, Mustafa e cilësoi vendimin si të imponuar nga kryetari i komunës, Bexhet Xheladini, dhe vartësit e tij, duke theksuar se kjo është hera e dytë brenda mandatit të tij qeverisës që qytetarët përballen me shtrejtim të faturës së mbeturinave (rritja e parë ishte në vitin 2024 nga 4.5€ në 5.5€).
Sipas tij, asambleistët e VV-së kanë qenë të zëshëm dhe argumentues kundër këtij vendimi, por një pjesë e opozitës iu bashkua partisë në pushtet për ta kaluar këtë vendim, të cilin ai e cilësoi si të dëmshëm për qytetarët.
Mustafa shtoi se qytetarët presin më shumë shërbime, investime dhe zhvillim, ndërsa qeverisja aktuale “nuk di gjë tjetër përveçse të dëmtojë buxhetin e familjeve”. Ai e quajti absurditet faktin që vendimi prek vetëm ekonomitë familjare, duke përjashtuar disa fshatra dhe bizneset, gjë që sipas tij është selektive dhe diskriminuese.
Në reagim u theksua se, pavarësisht rritjes së tarifës, çdo fshat vazhdon të ketë deponi ilegale të mbeturinave dhe nuk ka përmirësim në shërbime, duke e bërë të paarsyetuar këtë vendim.
Në fund, Mustafa deklaroi se këtë qeverisje nuk e meriton qytetari i Sharrit dhe se angazhimi i VV-së është që t’i shkurtojë mandatin kësaj “keqqeverisjeje që duhet e do të shkojë”.
©TVOPOJA