Dega e Levizjes Vetëvendosje në Sharr, ka reaguar ndaj një postimi nga faqja zyrtare e komunës së Dragashit, lidhur me ndërtimin e stadiumit të qytetit, përcjell TV Opoja.

Dega e VV-së thotë se deklaratat e tilla nga qeverisja aktuale në Dragash janë qesharake dhe joserioze, duke thënë se edhe qeverisja e LDK-së po e keqpërdor këtë projekt ashtu si qeverisja e PDK-së.

“Përmes një komunikate sa qesharake aq jo serioze, pa përmbajtje e me arsyetime të paqëndrueshme, komuna e Dragashit është deklaruar rreth çështjes së ndërtimit të stadiumit të qytetit, projekt ky tek i cili është keqpërdorur në mënyrë të pashembullt nga qeverisja e kaluar e PDK-së e po vazhdon të keqpërdoret në masën e njëjtë edhe nga qeverisja aktuale e LDK-së.”, thehet në reagimin e degës së VV-së në Sharr, përcjell TV Opoja.

Reagimi i plotë:

Deklarimet qesharake nga qeverisja joserioze e LDK-së në Sharr vazhdojnë

Përmes një komunikate sa qesharake aq jo serioze, pa përmbajtje e me arsyetime të paqëndrueshme, komuna e Dragashit është deklaruar rreth çështjes së ndërtimit të stadiumit të qytetit, projekt ky tek i cili është keqpërdorur në mënyrë të pashembullt nga qeverisja e kaluar e PDK-së e po vazhdon të keqpërdoret në masën e njëjtë edhe nga qeverisja aktuale e LDK-së.

Së pari, në komunikatë zyrtare, theksohet befasia që kanë përjetuar kryetari dhe vartësit e tij gjatë vizitës te stadiumi rreth mungesës së rrugës që të shpie në stadium. Kjo përveçse tregon mosinteresim e painformim të skajshëm për këtë problematikë kapitale të qytetit tonë, shpërfaqë edhe faktin se në të vërtetë premtimet sikurëse për stadiumin e edhe për të tjera projekte kanë qenë formale e elektoralisht të kalkuluara. Si është e mundur që pas 6 muajsh qeverisje drejtuesit e komunës të informohen për projektin dhe të metat e tij për herë të parë?

Së dyti, frazat si “gjendja e stadiumit ishte sikurëse të ishte zhvilluar lufta Rusi-Ukrainë” flasin shumë rreth të mos qenit të informuar e të vetëdijshëm për rolin e tyre si drejtues të një institucioni siç është Komuna.
Mbase shumëkush mendon se kjo faqe që është zyrtarja e komunës së Dragashit është e hakuar e dikush ka tentuar të bëj shaka. Por, çuditërisht jo. Është zyra për informim e komunës e cila situatën e ka përshkruar në këtë mënyrë, me shumë gabime drejtshkrimore e pa asnjë përmbajtje.

Si qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr e si e vetmja opozitë në komunën tonë, qëkurëse devijimet me këtë projekt kanë filluar, i kemi bërë thirrje Prokurorisë dhe organeve kompetente për t’i hetuar keqpërdorimet e mëdha që janë bërë e po vazhdojnë të bëhen në këtë projekt.

Nuk e meritojnë qytetarët e komunës tonë këtë zvarritje. Veçmas sportdashësit e sidomos lojtarët e KF Opoja të cilëve nuk po u plotësohen as kushtet elementare për ta bërë krenarë të gjithë qytetin, siç ata dijnë e kanë bërë deri më tani.

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Sharr,
19 qershor 2022