Pak çaste më parë, GazetaBlic publikoi vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me rivotimin nga jashtë për komunën e Dragashit.

Sipas këtij vendimi, Diaspora e kësaj komune do të mund të votojë sërish për raundin e dytë të zgjedhjeve, teksa Supremja ka urdhëruar KQZ-në që t’i kryejë të gjitha përgatitjet, përcjell GazetaBlic.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani. Njeriu që siguroi fitore në bazë të vendimit të PZAP-së, duke mos i llogaritur votat me postë, tha se ky vendim i Supremes ka qenë i papritur, por se do ta pranojnë, ani pse nuk kanë diskutuar në nivel të brendshëm.

“Në fakt nuk kemi prit që do të pezullohet vendimi i PZAP-së, megjithatë vendimi i Supremes është i pranueshëm për ne. Edhe pse nuk kemi pasur konsultime të brendshme, do ta pranojmë këtë vendim. Ne presim fitore sërish”, tha Shabani për GazetaBlic.