Kodi i ri Penal, i cili është në procedurën e miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka sjellë risi sa i përket ndëshkimit të shoferëve që ngasin automjete në gjendje të dehur.
Sipas Kodit të ri Penal, kushdo që drejton automjetin në gjendje të paaftë apo nën ndikim të alkoolit nëse në gjak ka alkool mbi 0,5 g/kg, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.
Për dallim nga ky Kod, Kodi penal në fuqi nuk e kishte paraparë sasinë e alkoolit në gjak.

Në të thuhet :
“Kushdo që drejton automjetin në gjendje të paaftë apo nën ndikim të alkoolit apo të substancave tjera dehëse, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet“.
Përpos kësaj pike, e cila ndryshon nga kodi i tanishëm penal, pikat e tjera nga ky nen janë të njëjta, dhe në to parashihet se :
Nëse vepra penale nga drejtimi i automjetit në gjendje të paaftë apo nën ndikim të alkoolit, rezulton me lëndim të lehtë trupor të ndonjë personi ose dëm pasuror në vlerë prej pesëmijë (5.000) Euro apo më shumë, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Nëse vepra penale nga drejtimi i automjetit në gjendje të paaftë apo nën ndikim të alkoolit, rezulton me lëndim të rëndë trupor të ndonjë personi ose dëm pasuror në vlerë prej njëzetmijë (20.000) Euro apo më shumë, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
Nëse vepra penale nga drejtimi i automjetit në gjendje të paaftë apo nën ndikim të alkoolit, rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.