Në Shajne zbulohet lapidari për dy dëshmorët e kombit, Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi

Kronika19 hours ago51 shikime

Në fshatin Shajne të Opojës është zbuluar sot lapidari kushtuar dy dëshmorëve të kombit, Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi, bij të kësaj treve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Pas dëbimit të banorëve të zonës nga forcat serbe, më 2 prill, Fetah Sylejmani së bashku me Fisnik Ibrahim dhe bashkëluftëtarin e tyre Mazllum Beshiri iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si vullnetarë. Ata u bënë pjesë e luftimeve në Betejën e Koshares, një nga betejat më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Kosovës.

Më 19 prill 1999 ra heroikisht dëshmori Fisnik Ibrahimi, ndërsa më 27 prill, gjatë luftimeve të ashpra në Koshare, ra edhe Fetah Sylejmani, duke mbetur përgjithmonë në kujtesën e popullit si dëshmorë të kombit.

Lapidari është vendosur në qendër të fshatit, pikërisht në një hapësirë ku dikur të rinjtë mblidheshin për diskutime dhe aktivitete shoqërore, ndërsa tashmë kjo hapësirë do të shërbejë si një vend kujtese dhe nderimi për sakrificën e dy bijve të Shajnës.

Në ceremoninë e zbulimit morën pjesë kryetari i Komunës së Dragashit së bashku me stafin komunal, ministri Andin Hoti, komandantët e njohur të luftës Rustem Berisha, Fadil Hadergjinaj dhe Anton Quni, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, banorë të fshatit dhe shumë qytetarë të tjerë.

Në emër të Këshillit Organizativ, hoxha i fshatit falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, si dhe të gjithë ata që kontribuan në ndërtimin e këtij lapidari. Ai vlerësoi lart figurën dhe veprën e dy dëshmorëve, duke theksuar se kujtimi për ta do të mbetet i përhershëm për brezat e ardhshëm.

Fjalë nderimi dhe vlerësimi për Fetah Sylejmanin dhe Fisnik Ibrahim kanë përcjellë edhe kryetari i komunës Bexhet Xheladini dhe ministri Andin Hoti, të cilët theksuan se ky lapidar do të jetë një vend që do t’u kujtojë të rinjve dhe çdo vizitori se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së bijve më të mirë të vendit.

Me emocione të veçanta foli edhe komandanti Rustem Berisha, i cili kujtoi bashkëluftëtarët nga treva e Opojës dhe rolin e tyre në Betejën e Koshares, duke vlerësuar guximin dhe përkushtimin e tyre në luftën për liri.

Kryetari i OVL-UÇK-së në Sharri, Emri Neshati, kujtoi sakrificën e dëshmorëve dhe theksoi se kjo organizatë do të vazhdojë të kujdeset që vepra dhe sakrifica e tyre të mos harrohet asnjëherë.

Ndërsa Filiz Mustafa ndau kujtime dhe momente prekëse nga jeta e dy dëshmorëve, duke i përshkruar ata si shembuj të guximit, atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj vendit.

Pjesë e ceremonisë ishin edhe aktivitetet kulturore-artistike, ku u recituan poezi dhe u interpretuan valle koreografike nga SHKA “Bresana”, duke i dhënë edhe më shumë madhështi këtij organizimi përpara zbulimit të lapidarit dhe pllakës përkujtimore me emrat e dy dëshmorëve.

Me këtë monument, fshati Shajne dhe e gjithë treva e Opojës nderojnë kujtimin e Fetah Sylejmanit dhe Fisnik Ibrahimit, dy dëshmorëve që mbetën përgjithmonë pjesë e historisë së Kosovës.

©TVOPOJA

 

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...