Dragash – Mungesa e përfaqësuesit të Komunës së Dragashit, Ramadan Krasniqi, ka bërë që të dështoj seanca e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, në rastin për vërtetim të pronësisë, për çka komuna e lartpërmendur është paditur nga Xhevdet Koqinaj.

Gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi ka deklaruar se përfaqësuesi Krasniqi, mungesën e tij e ka arsyetuar me anë të një parashtrese, ku ka shpjeguar se nuk mund të marr pjesë në seancë për shkak se gjendet në pushim vjetor.

Prezent në sallë të gjykimit ishin, paditësi Xhevdet Koqinaj dhe dëshmitarët Azem dhe Xhevit Zejnullahi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Kurteshi e ka caktuar seancën e radhës për 17 korrik 2020, në ora 09:00.

Ndryshe me 14 nëntor 2016, Xhevdet Koqinaj ka paditur Komunën e Dragashit, për vërtetim të pronësisë.

Paditësi Koqinaj, përmes padisë, po pretendon se është pronar i ngastrës katastrale prej 40 ari, në vendin e quajtur “Gurra Pazhiku”, ngastër kjo e cila është evidentuar në emër të Komunës së Dragashit.

Në padi thuhet se paditësi është posedues i kësaj pjese të parcelës, e shfrytëzon atë edhe sot, ndërsa në kadastrën e vitit 1952, ka qenë si pronë e Qamil Zejnullahut, e të cilën në vitin 1980 ai e ka ndërruar me parcelën e vet.

Paditësi Koqinaj kërkon nga gjykata që ta detyroj të paditurin që atij t’ ia lejoj regjistrimin e parcelës në emër të tij, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. /BetimipërDrejtësi