Kujdes! Sezoni i boronicave nis më 1 gusht, grumbullimi lejohet vetëm me leje.

Bujqësi13 hours ago85 shikime

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar (DAPK) “Sharri” ka njoftuar se mbledhja dhe grumbullimi i boronicave në territorin e Parkut Kombëtar ndalohet deri më 1 gusht 2026, për shkak se frutat nuk kanë arritur ende pjekurinë e plotë.

Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja e parakohshme ndikon negativisht në cilësinë e produktit dhe njëkohësisht dëmton procesin natyror të zhvillimit të bimësisë, duke rrezikuar rigjenerimin e saj në sezonet e ardhshme.

Për banorët e Komunës së Dragashit dhe zonave malore përreth, grumbullimi i boronicave përbën një aktivitet me rëndësi të veçantë ekonomike. Çdo verë, dhjetëra familje sigurojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre përmes mbledhjes dhe shitjes së boronicave dhe frutave të tjera të egra, duke e bërë këtë veprimtari një burim të rëndësishëm jetese.

DAPK “Sharri” ka bërë të ditur se sezoni i grumbullimit do të hapet zyrtarisht më 1 gusht 2026, por këtë vit mbledhja e boronicave do të lejohet vetëm për personat fizikë dhe subjektet juridike që pajisen paraprakisht me lejen përkatëse të lëshuar nga institucioni kompetent.

Sipas DAPK-së, ky mekanizëm synon të sigurojë një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore, të parandalojë mbishfrytëzimin e boronicave, të mbrojë florën dhe faunën e Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe të rregullojë procesin e grumbullimit dhe tregtimit të këtij produkti.

Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo aktivitet i zhvilluar në kundërshtim me këtë vendim, qoftë mbledhja e boronicave para datës 1 gusht apo grumbullimi pa lejen përkatëse pas hapjes së sezonit, do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të shoqërohet me masa ndëshkuese.

DAPK “Sharri” u bën thirrje qytetarëve dhe kompanive grumbulluese që të respektojnë afatet dhe procedurat ligjore, duke u pajisur me dokumentacionin e nevojshëm përpara fillimit të sezonit.

Për pajisje me leje ose për informacione shtesë, të interesuarit mund të drejtohen pranë zyrave të DAPK “Sharri”, në Rr. “Lah Limani” nr. 5, fshati Petrovë, Prizren, ose të kontaktojnë në numrin e telefonit 029 210 050.

© TV OPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...