Komuna e Dragashit heq dorë nga projekti i deponisë në Rrenc, debati vazhdon edhe në skenën politike

InfrastrukturëPolitik3 hours ago62 shikime

Komuna e Dragashit ka njoftuar sot se ka vendosur të heqë dorë nga realizimi i projektit për ndërtimin e deponisë së mbetjeve inerte në lokacionin e planifikuar në fshatin Rrenc, pas takimit të zhvilluar me Kryesinë e fshatit.

Sipas njoftimit zyrtar, kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, së bashku me nënkryetarin Vetim Ramadani, drejtorin e Financave Qamil Kolloni dhe shefin e personelit Muhidin Emini, pritën përfaqësuesit e fshatit për të diskutuar çështjen, ndërsa si rezultat Komuna vendosi të mos e realizojë projektin në lokacionin e paraparë fillimisht.

Komuna bën të ditur se, në bashkëpunim me Kryesinë e fshatit, do të shqyrtohen alternativa të tjera për gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm, në përputhje me kriteret ligjore dhe interesin publik.

Po ashtu, kryetari Xheladini njoftoi se ka zhvilluar takim me përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), të cilët i ka informuar për situatën e krijuar. Sipas tij, Komuna i është drejtuar edhe zyrtarisht MAPL-së me kërkesë që fondet e planifikuara për këtë projekt të mos humbasin, por të ridestinohen për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës së fshatit Rrenc, nga rruga rajonale deri te Lapidari.

Një natë para publikimit të këtij njoftimi, anëtari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Filiz Mustafa, kishte publikuar një reagim në të cilin deklaronte se banorët e Rrencit kishin arritur ta ndalin projektin e deponisë në afërsi të vendbanimit.

Në reagimin e tij, Mustafa falënderoi banorët për kundërshtimin e organizuar dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e Komunës përmes Grantit të Performancës. Ai vlerësoi se projekti i deponisë ishte zëvendësuar me një projekt tjetër, ndërsa kritikoi kryetarin e Komunës, duke thënë se fillimisht kishte deklaruar se nuk mund ta ndryshonte projektin pasi, sipas tij, kjo do të përbënte shkelje ligjore.

Sipas Mustafës, zhvillimet e fundit tregojnë se projektet përcaktohen nga Komuna, ndërsa ministria i financon ato. Ai gjithashtu i bëri thirrje kryetarit të publikojë listën e 11 projekteve të propozuara për financim nga Granti i Performancës, me qëllim rritjen e transparencës.

Me vendimin e bërë publik sot nga Komuna e Dragashit, projekti i deponisë në lokacionin e planifikuar në Rrenc nuk do të realizohet, ndërsa institucionet komunale dhe përfaqësuesit e fshatit kanë paralajmëruar bashkëpunim për identifikimin e një lokacioni tjetër dhe për përcaktimin e projektit që do të financohet me fondet e parapara.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...