Komuna e Dragashit dhe banorët e Rrencit me qëndrime të kundërta për projektin e deponisë së mbetjeve inerte

Aktualitet3 hours ago155 shikime

Vazhdon të shkaktojë reagime projekti për ndërtimin e një deponie për mbetje inerte në afërsi të fshatit Rrenc, ku Komuna e Dragashit dhe përfaqësuesit e banorëve kanë paraqitur qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Komuna e Dragashit ka bërë të ditur se projekti është planifikuar në përputhje me Planin Zhvillimor Komunal, vendimet e Asamblesë Komunale dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për shfrytëzimin e lokacionit, ndërsa thekson se dokumentacioni teknik është përgatitur dhe mjetet financiare janë siguruar.

Sipas Komunës, deponia do të shërbejë ekskluzivisht për mbetjet inerte, si dheu, rëra, gurët, betoni, tullat, tjegullat dhe mbetjet nga rrënimet e objekteve. Autoritetet komunale theksojnë se në këtë hapësirë nuk do të depozitohen mbetje komunale, organike, ushqimore, kafshë të ngordhura apo materiale të tjera që mund të shkaktojnë ndotje ose rrezik për shëndetin publik.

Komuna njofton se deponia do të ndërtohet sipas standardeve përkatëse, me rrethim, hyrje të kontrolluar, objekt për rojën, peshore dhe mekanizmat e nevojshëm për funksionim, duke e cilësuar projektin si të domosdoshëm për menaxhimin e mbetjeve inerte dhe mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu, thuhet se një deponi e ngjashme do të ndërtohet gjatë këtij viti edhe në rajonin e Gorës.

Lidhur me takimin me përfaqësuesit e fshatit Rrenc, Komuna thekson se janë dëgjuar shqetësimet e banorëve, por se vendimmarrja bazohet në legjislacionin në fuqi, dokumentet e planifikimit hapësinor dhe interesin publik. Sipas saj, një pjesë e informacioneve të publikuara pas takimit nuk e pasqyrojnë në tërësi diskutimin dhe kanë krijuar keqkuptime rreth natyrës së projektit.

Në anën tjetër, Kryesia e fshatit Rrenc ka reaguar duke deklaruar se gjatë takimit është bërë e ditur se projekti do të vazhdojë dhe se, sipas tyre, vetëm gjykata ose “Zoti” mund ta ndalin atë. Sipas reagimit të banorëve, është thënë gjithashtu se kundërshtimi qytetar nuk ka ndikim në proces.

Kryesia e fshatit njofton se e konsideron të përfunduar fazën e negociatave me institucionet komunale dhe se do të shqyrtojë rrugë të tjera për të kundërshtuar projektin. Në reagim thuhet gjithashtu se përfaqësuesit komunalë kanë deklaruar se Komuna nuk mund të humbasë rreth 250 mijë euro të planifikuara për realizimin e projektit, i cili, sipas tyre, është në interes të qytetarëve.

Qëndrimet e Komunës së Dragashit dhe të banorëve të Rrencit mbeten të kundërta, ndërsa çështja pritet të vazhdojë të jetë pjesë e debatit publik në ditët në vijim.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...