
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me nënkryetarin Vetim Ramadani dhe drejtorët komunalë Behar Brenoli e Veton Halili, vizituan sot QKMF “Adem Berisha” me rastin e hapjes së Dhomës së Këshillimores për Pacientët me Sëmundje Kronike.
Gjatë vizitës, drejtori i QKMF-së prezantoi funksionimin e këshillimores, e cila do të ofrojë shërbime çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 13:00, me angazhimin e dhjetë punëtorëve shëndetësorë të trajnuar. Pacientët do të referohen nga mjekët për të marrë këshillim profesional, ndërsa për informimin e qytetarëve janë siguruar materiale të shtypura dhe audiovizuale.
Kryetari Xheladini theksoi rëndësinë e ofrimit të shërbimeve dhe materialeve informuese në të dy gjuhët zyrtare, duke garantuar qasje të barabartë për çdo qytetar. Ai u shpreh i bindur se kjo këshillimore do të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve dhe siguroi mbështetjen e plotë të komunës për stafin dhe drejtuesit e QKMF-së.
Përveç shërbimeve të kujdesit primar, në QKMF Dragash vazhdojnë të ofrohen pa pagesë edhe shërbime të kujdesit sekondar nga kardiologu, oftamologu, neuropsikiatri dhe gjinekologu, ku përfshihet edhe analiza e Papa Testit. Komuna ka investuar vazhdimisht në pajisje moderne, infrastrukturë shëndetësore dhe burime njerëzore, duke respektuar aspektin etnik dhe gjinor.
Një lajm i mirë për qytetarët është se laboratori i QKMF-së është furnizuar me reagensa, dhe nga dita e sotme ofrohen sërish të gjitha llojet e analizave laboratorike.
Kryetari Xheladini përgëzoi stafin e QKMF-së për këtë hap të rëndësishëm, duke e cilësuar si një arritje në shërbim të qytetarëve dhe duke riafirmuar se prioriteti kryesor mbetet shëndeti i qytetarëve të Dragashit.
©TVOPOJA