Për të dytën herë me radhë, ka dështuar seanca fillestare ndaj asamblistit në Komunën e Dragashit, Granit Rifaj, i cili akuzohet për mos deklarim të pasurisë.
Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, e paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, ka qenë mungesa e të akuzuarit Rifaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi i rastit, Bekri Vehapi, ka thënë se gjykata nuk ka prova se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt.
Në seancën e së enjtes ka prezantuar prokurori Musli Gashi.
Seanca e së enjtes është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Ndryshe, edhe seanca e paraparë të mbahej më 7 mars të këtij viti, kishte dështuar të mbahej pasi kishte munguar i akuzuari Rifaj.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Granit Rifaj, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, asamblist në Komunën e Dragashit, nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose detyrimeve financiare.
Sipas aktakuzës, këtë deklarim është dashur ta bëjë në vitin 2016, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në afatin e paraparë me ligj.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportim ose raportim i rreme i pasurisë ,i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi