Shtegtime nëpër Atdhe (CXIV)

Fshati i dytë më jugor i Kosovës është Brodi i Gorës, në komunën e Sharrit (Dragashit). Ndodhet i rrethuar me male të larta e të bukura të Sharrit, në një terren të ngushtë, nga ku përvijohet lumi e kthjellët dhe rruga gjarpërore mes për mes fshatit. Brodi shtrihet në lartësi mbidetare 1200 – 1500 metra dhe është larg nga qyteti i Sharrit rreth 13 km, 35 km nga Zhuri, 47 km nga Prizreni dhe 60 km nga Kukësi.

Brodi, me 560 shtëpi e 1500 banorë, bën pjesë në rajonin e Gorës, ku banorët flasin një gjuhë të veçantë sllave, e përzier edhe me shqipen e turqishten. Janë grup etnik i fesë islame, që ruajnë zakonet e vjetra, traditën dhe veshjet të ngjashme me të shqiptarëve.

Brodi, i cili dikur ishte fshat i zhvilluar, i njohur për tregti, sot njihet si fshat i mërgimtarëve. Pasi fshati ndodhet në një terren malor, me kullosa të gjera në afërsi të tij, banorët e Brodit janë marrë tradicionalisht me blegtori. Pothuaj nuk ka familje të mos ket një tufë me dele dhe të mos ket një kali. Djathi i fshatit, i njohur si djathi i Sharrit, është i cilësinë më të lartë në vend. Banorët e Brodit janë mbledhës të boronicave e bimëve mjekësore në bjeshkët e Sharrit. Në fshat janë të regjistruara rreth 30 biznese të vogla.

Një karakteristikë, që është parë vetëm në këtë fshat, është se bajgat e thara gjatë verës përbënin material për ngrohje, por që kjo traditë pothuaj është braktisur.
Në Brod ka kushte ideale dhe gjithnjë e më të mira për zhvillimin e turizmi malor dhe të turizmin dimëror.

Rrethina e fshatit karakterizohet me peisazhe të jashtëzakonshme kodrinore e malore, që arrijnë lartësinë deri 2220 metra. Është fshat krejt i veçantë, që ia vlenë të vizitohet dhe të njifet jeta e njerëzve të urtë, punëtorë e bujarë të tij.
Pasi kalohet fshati, në një shpat mali, në lartësi mbidetare 1500 m., ndodhet një qendër e bukur turistike, e quajtur qendra turistike rekreative “Arxhena”. Kjo qendër është nga më të njohurat në Kosovë e llojit të vet, që vizitohet tërë vitin, dimër e verë.

Qendra përbëhet nga një hotel komod, me restorant me kuzhinë të pasur tradicionale dhe nga Qendra Skitare. Hoteli është në një mjedis të pastër malor e të gjelbëruar, të këndshëm e shlodhës, të qetë e me pamje tërheqëse në një natyrë të përsosur. Afër fshatit ndodhen terrene shumë të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore, sidomos janë shtigjet e përshtatshme për zhvillimin e skitarisë.

Për këtë arsye viteve të fundit është ndërtuar qendra e skijimit, njëra nga qendrat më të reja, më të mëdha e më të mira të Kosovës. Në kuadër të qendrës së skijimit, prapa hotelit, ndodhet teleferiku, i gjatë 950 metra, që ngritet deri në 2050 metra lartësi mbidetare, ku është ndërtuar edhe një objekt hotelier. Teleferiku madje krijon kushte për skijim edhe gjatë natës. Vetë ngjitja me teleferik paraqet përjetim të paprovuar më parë. Tri shtigje të Qendrës Skitare janë të gatshme për zhvillimin e garave në sllamom për gara kombëtare e ndërkombëtare.

Në janar të vitit 2012 në shpatijet e Brodit është mbajtur kupa e Kosovës në skijim, ku, pos ekipeve nga R. e Kosovës, kanë marrë pjesë edhe disa ekipe nga R. e Shqipërisë. Me qenë se bora shkrihet më vonë se në vendet e rrafshit, sezoni i skijimit zgjatë deri në gjashtë muaj, deri në pranverë.
Përveç skitarëve gjatë dimrit e pranverës, në Brod mund të takohen shumë njerëz në ecje (hiking), njerëz që kanë marrë malin në sy dhe në Brod gjejnë prehje e pushim.

Në fshat rriten posaçërisht kuajt, kuajt e bardhë të Brodit, ngase në Gorë është ruajtur kalërimi, si sport tradicional, por edhe në shërbim të turistëve gjatë ecejakeve të tyre nëpër male.
Brodi njihet si një fshat turistik, me natyrë të bukur, me shtigje të gjata për skijim e për ecje, me male të larta rreth e rreth tij e me tre lumenj të rrëmbyeshëm, i vizituar mjaft shumë nga turistë vendorë e të huaj.

Rrugët e ngushta dhe shtëpitë prej guri me arkitekturë të një stili tradicional, ia shtojnë bukurinë fshatit të strukur në male. Në Brod vijnë turistë nga çdo anë, sidomos nga R. e Shqipërisë, vijnë kryesisht ata që janë të pasionuar për skijim.

Hoteli “Arxhena” dhe Qendra Skitare vërshohen nga turistët veçanërisht gjatë dy ditëve të fundjavës. Vizitorët dhe turistët e shumtë, që vijnë si individë, si grupe apo si klube sportistësh, aty gjejnë bukurinë e kërkuar, gjejnë natyrën e jashtëzakonshme dhe mundësinë për pushim të mirë në një vend të qetë e të freskët.


Autor: Berat Luzha
(Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)