Nuk ka kaluar shumë kohë prej kur Suelës nga Mitrovica i ishte djegur shtëpia, e ajo kishte humbur gjithçka që kishte. Këtë gjë e përjetoi shumë rëndë familja, por më së shumti e preku të voglën e kësaj familje. E në momentin më të mirë, për këtë familje u paraqit Blend Sahiti, i cili ia rregulloi asaj dhomën, e madje i kishte blerë edhe kompjuter, që do t’i ndihmonte asaj për të kryer detyrat shkollore e për të pasur një fëmijëri të lumtur.

Ky rast është vetëm një nga 1500 familjet, të cilat janë ndihmuar nga logopedi dhe humanisti, Blend Sahiti, i cili për asnjë moment të vetëm nuk ndaloi së ofruar ndihmë për ata që kanë më së shumti nevojë jo vetëm në aspektin profesional, por edhe njerëzor.

Ai është një nga të rinjtë që e shfrytëzoi çdo ditë të karantinës në shërbim të mijëra familjeve brenda e jashtë Kosovës, në ditët kur më së shumti nevojë për ndihmë të çfarëdo lloji.

Në intervistën e dhënë për Gazetën Scanner, ai tregoi burimin e inspirimit për të qenë kaq aktiv gjatë gjithë muajve të karantinës, por edhe jashtë saj, si dhe formën se si e shfrytëzon edhe profesionin që ka për t’u përmbushur njëkohësisht edhe shpirtërisht.

GazetaSCANNER: Kush është Blendi?

Blend Sahiti: Blendi është një i ri i cili ka prejardhjen nga Lugina e Preshevës, por është lindur dhe rritur në Prishtinë. Vullnetin besoj që e kam bekim nga Zoti, si dhe motiv nga familja ime, të cilët nuk janë ndalur asnjëherë gjatë gjithë jetës duke ndihmuar familjeve nevojtare.

GazetaSCANNER: Ju jeni logoped me profesion. Si e menaxhoni dhe ndërveproni profesionin tuaj me veprat humanitare që mund të themi që i realizoni në baza ditore?

Blend Sahiti: Në kohën e pandemisë kemi pasur urdhër nga Qeveria që t’i mbyllim klinikat tona për shkak të mbrojtjes më të sigurt nga virusi, andaj edhe koha ime ato ditë ishte shumë më e madhe se tash, që të mund t’i shërbej popullit i cili ishte vërtetë në gjendje shumë të vështirë. Tani i shfrytëzoj vikendet, jashtë orarit të punës që t’i ndihmoj familjet nevojtare.

GazetaSCANNER: Cilat janë disa nga rastet që ju kanë prekur më së shumti gjatë punës suaj si logoped, por edhe humanist?

Blend Sahiti: Rastet të cilat më së shumti më kanë prekur gjatë karrierës si logoped, janë ata njerëz të cilët kane humbur besimin e tyre brenda vetes dhe se mendonin se nuk mund të shëroheshin nga problemet logopedike që i kane pasur, kurse në fakt pas terapive që i kemi bërë, ata ia kanë dalë dhe kanë derdhur lot gëzimi për gjendjen e tyre të re. Kurse, rast tjetër që i kam ndihmuar në aspektin human e që më ka prekur më së shumti ka qenë një nënë vetëushqyse, e cila qante gjatë gjithë kohës jo për shkak sëmundjes që e bartte në trup, por për shkak të mendimeve se kush do t’ia rriste djalin nëse ajo vdes nga problemi i madh që e kishte pasur me shëndet.

GazetaSCANNER: Gjatë pandemisë ju i keni intensifikuar aktivitetet tuaja humanitare, sa familje keni ndihmuar dhe në cilat lokacione?

Blend Sahiti: I kam ndihmuar afërsisht 1500 familje. Lokacioni është SHQIPËRIA ETNIKE. Në çdo zonë ku ka pasur shqiptarë dhe është lajmëruar familje në nevojë, menjëherë ju kemi dalë në ndihmë.

GazetaSCANNER: Në gjithë këtë rrugëtim, a keni qenë vetëm, apo janë bashkuar humanistë të tjerë?

Blend Sahiti: Patjetër që këtë rrugë ta ndiqja vetëm nuk do të kisha mundur pa përkrahjen e shokëve dhe shoqeve. Më duhet ta ceki Arlind Zeqirin, i cili është nga Ferizaj, por jeton në Zvicër, i cili ka dhënë gjithë kohën shuma të mëdha të parave për t’i kthyer në ushqim dhe barna për të gjitha ato familje në nevojë që janë paraqitur, si dhe dy super shoqet e mia, Gresa Baftiu dhe Elvira Dibrani, të cilat kanë performuar në mënyrën më të mirë të mundshme për ndihmat ndaj nevojtarëve.

GazetaSCANNER: Çfarë do të mund të bënte shteti më shumë për rastet që ju u keni dalë në ndihmë, por edhe rasteve të tjera të rënda?

Blendi Sahiti: Mendoj që gjendja sociale e popullit është e rëndë. Pjesa e kësaj kategorie të varfër të cilët janë në rregull me shëndet, mendoj që shteti menjëherë duhet të ju hapë rrugë që të punësohen, kurse të sëmurit të paktën t’i furnizojnë me barnat që kanë nevojë. Do të ishte një lehtësim shumë i madh dhe i domosdoshëm për ta.

GazetaSCANNER: Këshilla juaj për të gjithë njerëzit, në aspektin e ofrimit të ndihmës për të tjerët?

Blendi Sahiti: Ndihmoje dikë me aq sa ke mundësi, sepse ndoshta për ty është shumë pak ajo se çka ke për të dhënë, por më besoni për dikë do të jetë shumë. Atë vepër që e bëni, bëjeni me nijet të mirë.

Intervistoi: Fatbardhë Kiqina