Takimi i LDK dhe VV ka filluar në ora 16:00, ndërsa mësohet se marrëveshja mes tyre është arrtitur dhe pas takimit do të zyrtarizohet gjithçka.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas një procesi të gjatë bisedimesh, janë marrë vesh për mënyrën sipas së cilës do t’i ndajnë ministritë në koalicionin e ardhshëm qeveritar.

Në marrëveshjen e arritur, Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë do të drejtohen nga ministra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Siç ka ndodhur zakonisht në marrëveshjet për bërjen e qeverive në Kosovë, Ministria e Kthimit i takon minoritetit serb, ndërsa habitshëm edhe sepse LDK e kishte udhëhequr dikur këtë ministri, edhe për faktin se VV’ja e ka pasur pjesë të narrativit të saj politik gjatë kohë është vendosur që Ministria e Kulturës t’i takojë minoriteteve tjera.

Dakordësimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është arritur edhe për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila atë do t’ia besojë Vjosa Osmanit.

Kujtojmë, që në takimin e sotëm përveç Kurtit e Mustafës do të marrë pjesë edhe Vjosa Osmani.

Mustafa ka folur shkurtimisht para gazetarëve derisa hyri në Kuvend të Kosoëvs, aty ku për pak minuta do të takohet me të parin e VV’së, Albin Kurti, si përpjekje për arritje të marrëveshjes për koalicion.

Ndërsa Metro ka mësuar se tashmë partitë janë marrë vesh për ndarjet e ministrive dhe postit të presidentit, dhe do t’i bëjnë publike vetëm pasi të përfundoj takimi mes tyre që ka filluar pak minuta më parë./gazetametro.net