Shkruan Fatmir Halili
Shoqëria jonë momentalisht është në një gjendje të çakorduar. Rruga deri te ardhja këtu është e njohur, por rruga për zgjidhje nuk po duket në asnjë drjtim.
Problemi më serioz, ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i qindra e mijëra analfabetëve funksional. E për më keq, krijimi i analfabetëve të tillë vazhdon të shtohet çdo ditë e më shumë.
Zgjedhjet e brendshme partiake, në veçanti tek partitë e mëdha, janë dëshmia më e mirë e luftës së këtyre analfabetëve për pushtet. Prapaskenat e ndryshme, shantazhet dhe shumëçka tjetër që nuk përkon me konkurencën e drejtë dhe parimet e demokracisë, janë përshkrimi që mund tu bëhet këtyre zgjedhjeve partiake.
Me improvizime dhe zgjedhje të dirigjuara nga lartë, demokracia partiake mbetët e vdekshme dhe në duart e individëve që më së paku i njohin proceset politike, demokracinë, konkurencën e drejtë etj.

Morali politikë natyrisht që nuk do të ekzistojë, e për më shumë, as qeverisja normale në vend nuk mund të ekzistojë, përderisa partitë politike vazhdojnë me trendin e vjetër të tyre. Figurat e vjetëra politike ngelën dominante në shumicën e partive në vend, e posapërisht dy partive të mëdha, të cilat në një formë ose në një tjetër kanë qëndruar në pushtet që nga paslufta.

Krijimi i normalitetit politikë dhe institucional do të jetë i vështirë përderisa partitë politike nuk e ndryshojnë qasjen e tyre. Përveç klikës së vjetër që ngelet prezente, dhe madje vendimëmarrse në partitë politike, ajo që të humbë shpresën për ndryshimin e këtyre partive, e rrjedhimisht qeverisjes lokale dhe qendërore, është prezenca e analfabetëve funksional që po bëjnë përpjekje të pakompromis për të kapur pozitat udhëheqëse nëpër parti.
Në këtë drejtim, shteti ynë i ri, ndodhet në një rrezik të madh të padukshëm. Janë këta qindra e mijëra analfabetë funksional që Kosovën e kanë sjellë këtu ku është, por shtrirja e gjerë e këtyre analfabetëve funksional, të cilët domodo, në një mënyrë ose në një tjetër, do të jenë prezentë në qeverisje, gjithsesi janë degradimi i drejpërdrejtë i institucioneve në të ardhmën.

Kur institucionet shtetërore menaxhohen nga analfabetë funksional, kur të tillët synojnë dhe kapin pozitat e larta drejtuese, shteti dhe vet shoqëria futën në rrugë pa dalje. Në këtë mënyrë, shoqëria jonë është futur në një rrugë pa dalje, sepse rrugët tashmë janë stërmbushur me analfabetë funksional.
Në këtë rast, çështja është, do të vazhdojmë kështu, apo të punojmë për të ndryshuar këtë realitet të keq?!
Rruga drejtë ndryshimit do të jetë jo e lehtë, fakti që shoqëria jonë ngelet e pa avansuar në aspektin intelektual, fakti që universitetet dhe kolegjet tona nuk kanë prodhuar kuadro të mirëfillta, fakti që shoqëria jonë është larguar nga libri, janë treguesi më i mirë i vështirësive për ndryshim.

Megjithatë, puna për ndryshim, nëse duam që Kosovën ta bëjmë të jetueshëme, të sigurtë dhe shtet funksional, nuk duhet të ndalet. Këtu, përgjegjësia kryesore bie mbi supet e secilit intelektual që ka vlera e ndërgjegje të pastër, që pavarësisht karrierës së tyre, pavarësisht vështirësive që janë përpara, duhet sakrifikuar gjithçka për idealin e përgjithshëm të shoqërisë. Kosova është më e rëndësishme se gjithçka tjetër, krijimi i shtetit të së drejtës, krijimi i konkurencës së drejtë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, e mbi të gjitha lufta kundër analfabetëve funksional, janë çështje ku nuk duhet të gjejmë kompromis me asgjë.