Batjar Halili (psikolog)
Ne njohim shumë njerëz në përditshmërinë tonë. Dëgjojmë në media e shikojmë në vendin e punës ku veprojmë dhe jashtë tij dukuri të ndryshme të pandershme si; vjedhje, përvetësim i pasurisë së tjetrit – qoftë kjo intelektuale apo materiale – ndërkamsa që bartin llafe nga një zyrë në tjetrën, nga një shok tek tjetri, spiuna që krijojnë hendeqe mes miqsh etj. Të gjitha këto bëhen për arsye të fitimit të asaj që quhet e pandershme nga njerëz të pandershëm. Janë njerëzë të pashpirtë që deshirojnë të fitojnë vëmendje, benefite dhe pasuri.
Luçiano në një varg të bukur të tij thotë: “Vetëm pasuria e shpirtit është pasuri e vërtetë, të tjerat janë të tejmbushura me dhimbje”. (Antologji, I,67).
E këta mjerana që fitojnë këtë “pasuri” në këtë formë si me norma ligjore, biblike, kuranore, po ashtu edhe morale nuk arrijnë të kuptojnë që vjen një ditë dhe kjo pasuri e fituar mund të shndërrohet në burim dhimbjeje për ta, për familjet e tyre dhe për rrethin e tyre.
Këto aspekte të lartëcekura janë vetëm gllabrim i mirëqenies njërzore e veçanarisht i kësaj popullate në tokën e Zotit që quhet Kosovë. Disa janë të ndershëm, disa janë të pandershëm ose veprojnë sipas interesave të tyre. Kur them të pandershëm, po flas për njerëzit që i fshehin identitetet dhe synimet reale dhe çdo ditë ecin me një maskë në fytyrat e tyre, hiç nuk e kanë problem nëse është dikush që i kupton.
Njerëzit e ndershëm sillen ashtu siç janë dhe e dinë se çfarë duan. Aftësia e tyre për të jetuar jetën në harmoni me veten e tyre vjen nga disa mënyra nga të cilat secili prej nesh mund të mësojë dhe t’i marrë ato si model për jetën e vet.
Njerëzit e ndershëm i respektojnë të gjithë, kurse njerëzit e pandershëm i respektojnë vetëm ata që janë të fortë, kanë pushtet dhe para, duke shkuar aq larg sa t’u kryejnë edhe punë të rëndomta shtëpie (p.sh krasitja e rrushit, çarja e druve, pagesat e faturave etj) apo të bëjnë rolin e sekserit për këta persona me pushtet, duke u përulur aq shumë, saqë bëhen lolo të tyre. Rrjedhimisht miqësitë e tyre janë po aq falso sa edhe sjellja e tyre dhe zgjat aq sa zgjat pushteti apo pasuria e personit pas të cilit janë ngjitur.
Mes njërzve të ndershëm dhe të pandershëm ka një dallim të madh, sepse njerëzit e ndershëm mund të bashkohen mirë me të gjithë edhe nese nuk janë të bashkuar në sjelljet dhe veprimet e tyre ata e ruajnë konstantshmërinë dhe nuk luajnë nga ajo që vërtetë besojnë. Ndërsa njerëzit e pandershëm janë arrogantë, shpesh kanë sjellje brutale dhe insistuese, duke u përpjekur që të të lëshojnë në nivelin e tyre.
Njerëzit e ndershëm janë të hapur ndaj mendimeve të ndryshme, kurse njerëzit e pandershëm besojnë vetëm në të “drejtën” e tyre.
Njerëzit e sinqertë dhe të ndershëm janë gjithmonë të gatshëm për të shkëmbyer ide me njerëz të tjerë. Ndërsa njerëzit e pandershëm janë më të interesuar në informata, sesa në ide. Prandaj, ata preferojnë të flasin për jetën e njerëzve të tjerë. Duke bërë që ata të tregojnë edhe nivelinb më të ulët intelektual që ekziston, pasi siç thotë Teodore Rosvelt: “Mendjet e mëdha flasin për idetë, mendjet mesatare flasin për ngjarjet, kurse mendjet e ulta flasin për njerëzit.”
Njerëzit e ndershëm i mbajnë premtimet e tyre, ndërsa njerëzit e pandershëm kurrë nuk premtojnë lehtë. Një person që është i ndershëm përpiqet të premtojë më pak. Ai kujdeset për t’i mbajtur premtimet e tij aq sa mundet. Njerëzit e pandershëm mund t’ju japin çdo fjalë që deshironi të dëgjoni, por nuk bëjnë asgjë derisa të arrijnë interesat e tyre. Njerëzit e ndershëm preferojnë një jetë të thjeshtë, njerëzit e rremë duan dhe pretendojnë jetën me të mira materile.
Njerëzit e sinqertë nuk i detyrojnë të tjerët të jenë si ata, por një person i pandershëm dhe falso dëshiron që të gjithë të mendojnë si ai. Kurse sa i përket njeriut të sinqertë dhe të ndershëm ai i respekton të tjerët dhe mendimet e tyre, dhe nuk pret që ata të jenë apo të bëhen si ai. Kurse sa i përket njerëzve të pandershëm dhe falso me anë të falsitetit të tyre përpiqen dhe shpesh ia arrijnë që të krijojnë marrëdhënie të bazuara në interes me të gjithë. Sepse për ta, kjo është mënyra e vetme e të ekzistuarit në botë.
Si përfundim mund të them së pandershmëria dhe sjelljet e rreme janë një lloj maske pas të cilës këta persona fshehin çrregullimin e tyre të personalitetit ku ndërthuren edhe shumë komplekse dhe çrregullime të tjera.