
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me pjesëtarë të Kabinetit, ka mirëpritur në Komunën e Dragashit Ambasadoren e Suedisë në Kosovë, znj. Asa Pahrson, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj.
Sipas njoftimit të kryetarit Xheladini, gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme në zyrën e tij, u diskutua për Komunën e Dragashit, zhvillimet aktuale dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm. Pas takimit në komunë, vizita vazhdoi me një drekë pune në Brod.
Në përmbyllje të vizitës, ata panë nga afër realizimin e projektit infrastrukturor në fshatin Mlikë, i cili përfshin ndërtimin e urës dhe rregullimin e shtratit të lumit, projekt ky i financuar përmes Grantit të Performancës – DEMOS.
Me këtë rast, kryetari Xheladini ka falënderuar Ambasadoren Pahrson për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Komunën e Dragashit, duke shprehur njëherësh gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
©TVOPOJA