
Në Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash është formuar Ekipi për Vlerësimin e Brendshëm të Performancës së Shkollës, me qëllim të identifikimit të përparësive, sfidave dhe mundësive për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së punës në këtë institucion arsimor.
Sipas njoftimit të drejtorisë së shkollës, ekipi përbëhet fillimisht nga pesë anëtarë, të cilët do të angazhohen në organizimin, koordinimin dhe realizimin e procesit të vlerësimit të brendshëm. Njëherësh, bëhet e ditur se ekipi mbetet i hapur për zgjerim edhe me anëtarë të tjerë, veçanërisht me kryetarët e Aktiveve Profesionale, në mënyrë që procesi të përfshijë sa më gjerë stafin mësimdhënës dhe të sigurojë pjesëmarrje aktive të të gjitha fushave të veprimtarisë shkollore.
Ky proces synon të krijojë një pasqyrë sa më reale të performancës së shkollës, të mbështetur në evidenca, analiza dhe reflektim profesional, duke kontribuar në hartimin e masave konkrete për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të rezultateve të nxënësve.
Në përmbyllje, drejtoria e ShML “Ruzhdi Berisha” ka theksuar se vlerësimi i brendshëm nuk është vetëm një proces i identifikimit të gjendjes, por edhe një mundësi për zhvillim, përgjegjësi të përbashkët dhe përmirësim të vazhdueshëm të shkollës.
©TVOPOJA