
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, përmes një reagimi publik të datës 16 nëntor 2026, ka akuzuar pushtetin lokal të udhëhequr nga LDK-ja dhe kryetari Xheladini për familjarizëm, nepotizëm dhe punësime mbi baza partiake në institucionet arsimore.
Sipas këtij subjekti politik, derisa të rinjtë dhe profesionistët e Sharrit përballen me mungesë perspektive, pushteti komunal po merret me punësimin e familjarëve dhe bashkëpartiakëve, duke lënë anash hallet e qytetarëve. Duke iu referuar konkursit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, të publikuar më 5 tetor të këtij viti, Lëvizja VETËVENDOSJE! pretendon se janë pranuar Xhylferie Bahtijari, asambleiste e LDK-së në Kuvendin Komunal, si dhe Ardian Ramadani, të cilin e cilëson si djalin e axhës së nënkryetarit të Komunës.
Në reagim theksohet se institucionet publike nuk janë pronë e pushtetit dhe se vendet e punës nuk janë privilegj i familjarëve dhe bashkëpartiakëve. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr e ka vlerësuar qeverisjen aktuale si një model të dëmshëm në shërbim të familjarëve e militantëve partiakë, duke deklaruar se këtë model do ta rrëzojnë.
©TVOPOJA