
Komuna e Dragashit ka publikuar një video nga punimet që po zhvillohen në stadiumin e “Kreveçicës” në fshatin Plavë, duke bërë të ditur se ky projekt është drejt përfundimit.
Pamjet e ndara nga institucionet komunale tregojnë ecurinë e punimeve në terren, ku shihet se stadiumi në Plavë ka hyrë në fazën e tij përmbyllëse.
Ndërkohë, krahas punimeve në Plavë, procesi i ndërtimit është duke u finalizuar edhe në stadiumin e fshatit Blaç. Në këtë fushë, ditë më parë është realizuar edhe shtrimi i barit artificial.
Me përfundimin e këtyre dy fushave, si dhe duke llogaritur stadiumin qendror që ndodhet në Dragash, komuna bëhet me gjithsej tre stadiume të mëdha me bar artificial.
Pavarësisht kësaj infrastrukture të re, aktualisht në nivel komune numërohet vetëm një klub futbolli i cili garon në Ligën e Tretë të Kosovës, si dhe dy shkolla futbolli që zhvillojnë gara në ligat për fëmijë. Vënia në funksion e këtyre stadiumeve pritet të jetë një ndihmesë e madhe për këto ekipe në zhvillimin e stërvitjeve dhe aktiviteteve të tyre të rregullta.
©TVOPOJA