
Enver Batiu ishte një mësimdhënës dhe studiues i përkushtuar, i njohur fillimisht në trevën e Opojës në vitet ’70 dhe më pas në Prizren, ku dha kontribut të çmuar në arsim dhe shkencë. Ai la gjurmë të rëndësishme në fushën e historisë shqiptare, veçanërisht në studimet për Opojën, Gorën dhe figurat kombëtare.
Ndër veprat e tij më të spikatura janë studimet “Opoja trevë e lashtë shqiptare” dhe “Qasje antishkencore e Jastrebovit për Opojen e Gorën”, të përfshira edhe në librin Opoja – aspekti historik. Ai botoi gjithashtu një sërë punimesh për Ymer Prizrenin, ku trajtoi trashëgiminë, gjenealogjinë dhe veprimtarinë e kësaj figure kyçe të historisë kombëtare, si dhe shkroi recensione dhe studime për personalitete të tjera historike.
Së fundmi, botoi librin “Shtrembërimet e Jastrebovit për Opojen e Gorën”, duke dëshmuar vazhdimësinë e angazhimit të tij shkencor deri në fund të jetës. Punimet e tij janë botuar në libra dhe revista shkencore, përfshirë revistën Sharri.
Me ndarjen nga jeta të Enver Batiut, historiografia shqiptare humbi një zë serioz, këmbëngulës dhe të ndershëm shkencërisht.
Vepra e tij mbetet dëshmi e kohës,e përkushtimit intelektual dhe e ndriçimit të çështjeve historike që ai trajtoi me pasion dhe përgjegjësi.