
Bellobrad, 11 tetor 2025 – Drejtoria e Shkollës Fillore dhe e Mesme e Ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad ka adresuar një kërkesë zyrtare drejtuar Policisë së Kosovës, dega në Dragash, për ndërmarrjen e masave urgjente të sigurisë pas raportimeve për paraqitjen e arinjve në territorin e fshatit.
Në kërkesën zyrtare, shkolla thekson se prania e këtyre kafshëve të egra paraqet rrezik serioz për nxënësit, stafin arsimor dhe banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites kur nxënësit udhëtojnë drejt ose nga shkolla.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës, Msc. Ajaz N. Myrtëzani, kërkon nga autoritetet policore që të ndërmarrin masa të menjëhershme sigurie për të eliminuar rrezikun dhe për të garantuar sigurinë e komunitetit shkollor.
“Me shpresë se kjo kërkesë do të merret parasysh dhe do të realizohet sa më shpejt, falënderojmë Policinë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin,” thuhet në letrën zyrtare të shkollës.
Ky reagim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga banorët e Bellobradit për lëvizjen e arinjve në afërsi të zonës së banuar dhe rrugëve që përdorin nxënësit.
