
Fitim Karimani, anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Dragash, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, duke e cilësuar vendimin si një akt reflektimi pas rezultateve të fundit të zgjedhjeve në komunën e Dragashit.
Në njoftimin e tij publik, Karimani thekson se rezultatet e zgjedhjeve janë një mesazh që duhet dëgjuar me kujdes nga secili anëtar i partisë, duke shtuar se ndien përgjegjësi morale dhe politike për pjesën që i takon.
“Si pjesë e ekipit udhëheqës të PDK-së në Dragash, punova aq sa dita e aq sa munda, por ishte e pamjaftueshme, prandaj ndjej për detyrë morale dhe politike të marr përgjegjësi për aq sa më takon. Për këtë arsye, kam vendosur të dorëzoj detyrën time si anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Dragash,” – ka shkruar Karimani.
Ai shton se kjo nuk është një dorëzim, por një reflektim dhe respekt ndaj votës së qytetarëve.
“U jam mirënjohës të gjithë aktivistëve, simpatizantëve dhe bashkëpunëtorëve që dhanë shumë nga vetja gjatë këtij procesi. Besoj se PDK-ja ka potencial të madh, por duhet të dëgjojë më shumë, të punojë më shumë, të rinovohet dhe të rikthehet më afër njerëzve,” – përfundon Karimani.