
Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, priti në takim përfaqësuesit e ShFMU “Ilmi Bahtijari” nga Blaçi, pas suksesit të shkëlqyer të nxënësve të kësaj shkolle në garën e diturisë të organizuar në kuadër të projektit “Sun is Our Power”. Projekti, i zbatuar nga Balkan Green Foundation, synon fuqizimin e brezit të ri në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në garë morën pjesë katër shkolla të komunës: “Ilmi Bahtijari” (Blaç), “Shaban Shabani” (Llopushnik), “Fetah Sylejmani” (Dragash) dhe “Zenuni” (Brod), ndërsa fituesit nga Blaçi u shpërblyen me një grant për instalimin e panelëve diellorë me kapacitet 5 kWp.
Kryetari Xheladini përgëzoi drejtorin Zijadin Meleqi, mësimdhënësin Fesal Mehmeti dhe nxënësit fitues për përkushtimin dhe njohuritë e treguara, duke i vlerësuar ata si shembull frymëzues në përpjekjet për një të ardhme më të gjelbër.
©TVOPOJA